Thaçi, një status në “Facebook” për heroin Enver Zymberi

Kosova

Thaçi, një status në “Facebook” për heroin Enver Zymberi

Më: 26 korrik 2014 Në ora: 08:06

Kryeministri Hashim Thaçi ia ka kushtuar një status në “Facebook” heroit të Kosovës, Enver Zymberi, në trevjetorin e vrasjes.

“Tre vjet më parë, më 25 korrik 2011, u zhvillua aksioni i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjakë. 25 korriku 2011 shënon shuarjen e ëndrrës së Serbisë për ndarjen e Kosovës. Kjo ditë është ditë e bashkimit territorial të Kosovës. Në këtë operacion fisnik, ra në krye të detyrës për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës, heroi ynë Enver Zymberi”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij, shkruan Koha Ditore.

“Ky operacion i dha fund status quo-së së mbretërimit të paligjshmërisë e pasigurisë në veri dhe nisi procesin e riintegrimit të asaj pjese të territorit të Republikës së Kosovës. Enveri u flijua për të vendosur sovranitetin dhe ligjshmërinë në gjithë territorin e Kosovës dhe vepra e tij e lavdishme do të shërbejë si simbol frymëzimi për të gjithë ne dhe brezat që do të vijnë”.

Me kaq e ka mbyllur kujtimin për të rënin e Zymberit në një aksion që kishte urdhëruar vetë Thaçi tre vjet më parë, që u pasua nga një seri ngjarjesh të dhunshme në veri dhe bisedimesh në Bruksel. Prej atëherë ende nuk ka lëvizje të lirë në veri të Kosovës. Një barrikadë e re është ndërtuar mbi urën e lumit Ibër në formë parku. Ajo ka zëvendësuar të vjetrën me gurë e zhavorr, që kishte qëndruar rreth tre vjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat