Dardan Gashi: Ose ndalni ndërtimet ose do të intervenojmë

Kosova

Dardan Gashi: Ose ndalni ndërtimet ose do të intervenojmë

Më: 25 korrik 2014 Në ora: 18:07

Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi ka reaguar pas fillimit të ndërtimeve në pjesën veriore të Mitrovicës.
Sipas tij, përkundër marrëveshjeve në Prishtinë dhe Bruksel rreth memorandumit për ndalimin e ndërtimeve si në Veri ashtu edhe në Jug të Mitrovicës, autoritetet komunale të pjesës veriore, të nxitura nga Qeveria e Beogradit, qe dy ditë rradhazi, vazhdojnë me provokime herë duke rifilluar e herë duke ndalur përkohësisht punimet në dy ndërtimet e larta të Kroi i Vitakut.

“Përkundër tentativave që me anë të inspektorëve tanë që vazhdimisht janë në terren, të ndikojmë që punimet të ndërpriten dhe të respektohet marrëveshja, zyrtarët e Veriut vazhdojnë të thyejnë ligjet dhe të shkelin çdo marrëveshje që është arritur deri më sot”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk është kundër ndërtimit të objekteve për qytetarët serb, mirëpo ndërtimet duhet të jenë në kuadër të ligjeve të Republikës së Kosovës si dhe në kuadër të marrëveshjeve të arritura me ndërmjetesimin e faktorit ndërkombëtar.
“Dua që në emër të Qeverisë të Republikës së Kosovës t'i rikujtoj iniciatorët e këtyre provokimeve, se ne jemi përmbajtur nga veprimet për hirë të dialogut dhe procesit negociues dhe vizionit të integrimit të Veriut në institucionet e Republikës së Kosovës. Mirëpo, nëse këto provokime vazhdojnë edhe në orët në vijim, ne jemi të gatshëm dhe të detyruar të intervenojmë”, thotë ai.
Ai ka thënë tutje se përgjegjësinë për situatën e krijuar dhe asaj që mund të krijohet, e bartin pikërisht zyrtarët dhe individët e Veriut dhe Beogradit që janë duke e provokuar me çdo kusht situatën.

“Institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ato të sigurisë janë të gatshme të reagojnë në çdo moment kur konsiderohet që tolerimi i mëtutjeshëm nuk është në dobi as të dialogut e as të implementimit të rendit dhe ligjit në këtë pjesë të Kosovës. Sigurojmë qytetarët e Republikës së Kosovës se ligji do të implementohet në gjithë territorin e Kosovës si dhe vetëpërmbajtja e deri-tashme është për hirë të ruajtjes së stabilitetit dhe promovimit të dialogut, mirëpo çdo gjë ka kufirin e vet dhe përgjegjësit duhet të jenë të vetëdijshëm që veprimet e tyre janë vepra të rënda penale dhe si të tilla do të ndëshkohen”, ka shkruar në fund Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat