Serbia ka ende mentalitetin e barrikadave, thotë Tahiri

Kosova

Serbia ka ende mentalitetin e barrikadave, thotë Tahiri

Më: 25 korrik 2014 Në ora: 07:57


Autoritetet në Prishtinë pohojnë se në bazë të marrëveshjes së 22 korrikut, barrikada e ashtuquajtur “Parku i Paqes”, e vendosur muaj më parë mbi urën e Lumit Ibër dhe të gjitha pengesat tjera të cilat janë në kundërshtim me ligjet e shtetit të Kosovës, do të largohen shpejt.
Reagimi vjen menjëherë pas deklaratave të Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuric.
Ai u ka thënë mediave serbe se janë marrë vesh në Bruksel me delegacionin e Kosovës që “Parku i Paqes” të mbetët mbi urë.
Në një prononcim për politiko.net, udhëheqësja e delegacionit për bisedimet teknike Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka thënë se deklaratat e Djuric janë të pavërteta.
Sipas saj, ai është dakorduar, në emër të shtetit serb, se të gjitha barrikadat do të largohen.
“Marko Djuric dhe Serbia kanë ende problemet e mentalitetit të barrikaduar. Në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, që e kemi arritur me 22 korrik, jo vetëm do të hiqet i ashtuquajturi ‘Parku i Paqes’, por edhe siç ishte paralajmëruar një park ‘Car Llazar’, si dhe të gjitha pengesat tjera që janë bërë kohët e fundit në kundërshtim e ligjet e shtetit të Kosovës dhe lëvizjen e lirë”.
“Djuric është duke folur të pavërtetën, sepse në bisedimet më 22 korrik, edhe ai është dakorduar në emër të shtetit fqinjë, Serbisë, që të gjitha barrikadat do të hiqen, përfshirë ‘Parkun e Paqës’, dhe do të ndodhë revitalizimi i urës”, ka deklaruar zëvendëskryeministrja Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat