Kosova dhe Italia kanë bashkëpunim shembullor

Kosova

Kosova dhe Italia kanë bashkëpunim shembullor

Më: 24 korrik 2014 Në ora: 23:39

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Hashim Thaçi e sheh me optimizëm marrjen e kryesimit të Presidencës së BE-së nga ana e Italisë në këtë fazë të rëndësishme për Kosovën. Ai këtë vlerësim e bëri sot gjatë takimit me Ministren e Jashtme të Italisë, Federica Mogherini.
“Marrëveshja për Stabilizim Asociim dhe liberalizimi i vizave janë dy procese shumë të rëndësishme për Kosovën e për të cilat priten hapa vendimtarë në kohën kur Italia kryeson me Presidencën e BE-së”, u shpreh Kryeministri Thaçi dhe shtoi se është punuar gjatë dhe zellshëm në këtë drejtim dhe tani pritet të korren rezultatet e kësaj pune të madhe.
Thaçi gjithashtu e njoftoi Ministren Mogherini për arritjet në Kosovë, veçanërisht me procesin e suksesshëm të zgjedhjeve të përgjithshme që ishin zgjedhjet më të mira që ka pasur Kosova ndonjëherë, e të cilat u mbajtën në tërë territorin e Kosovës, sipas ligjeve të Kosovës.
Ministrja Mogherini u shpreh e kënaqur me prezencën dhe kontributin e Italisë në Kosovë, qoftë duke marrë pjesë në KFOR dhe EULEX, qoftë nëpërmjet përkrahjes që i jep vendit në procesin e integrimit në BE. “Ne qëndrojmë krah për krah me juve në rrugën drejt BE-së”, u shpreh Ministrja Mogherini.
Diplomatja italiane e përgëzoi qeverinë e Kosovës për të arriturat në vend, veçanërisht për zgjedhjet e suksesshme si dhe procesin e rëndësishëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo gjithashtu shprehu dëshirën që bashkëpunimi mes Italisë dhe Kosovës të thellohet edhe në sferën e ekonomisë dhe kërkoi që të ndihmohen investitorët potencialë italianë të shtrijnë investimet edhe në Kosovë, sidomos ata që tanimë kanë investuar në rajon.
Kryeministri Thaçi e siguroi Ministren Mogherini se Qeveria e Kosovës ka prioritet zhvillimin ekonomik të vendit dhe se do të ndihmohen investitorët që dëshirojnë të investojnë në Kosovë. Gjithashtu, ai u shpreh se pas zgjedhjeve të suksesshme po punohet që sa më parë të formohet edhe qeveria në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe të punohet në prioritetet e vendit, integrimin në NATO dhe BE, dialogun dhe zhvillimin ekonomik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat