Kreu i Lipjanit akuzohet për rrënim selektiv të objekteve

Kosova

Kreu i Lipjanit akuzohet për rrënim selektiv të objekteve

Më: 24 korrik 2014 Në ora: 12:03

Lipjan, 23 korrik – Përfaqësues biznesesh në Lipjan, por edhe opozita e kësaj komune e kanë akuzuar, të mërkurën, kryetarin Imri Ahmeti për vendime selektive kur është fjala për rrënimet në këtë mjedis.
Ky reagim vjen nga fakti se të mërkurën, autoritetet komunale të Lipjanit kanë ndërmarrë një aksion për heqjen e një tende pemësh e perimesh të një marketi në Lipjan. Ky vendim, ndërkaq, nga të gjithë të tjerët, pos Komunës, është quajtur mjaft kontradiktor dhe selektiv për disa arsye. Për lejimin e punës të kësaj tende ka pasur një peticion edhe nga së paku 9 familje që banojnë afër marketit me tendë pemësh e perimesh.
“Kemi bërë peticion për të mos u rrënuar tenda e këtij marketi, sepse nuk krijon zhurmë, por ofron shërbime të shpejta te qytetarët. Zhurmën e krijojnë në fakt kafeteritë të cilat janë rehat, por jo tenda e pemëve e perimeve, ndaj ky ishte një vendim i padrejtë për rrënim”, ka thënë banori Idriz Hasani.
Por, krerët komunalë, përfshirë edhe inspektorët, nuk janë treguar, të mërkurën, të shurdhër vetëm për thirrjen e banorëve, por janë treguar arrogant edhe në punën e gazetarëve, ndërsa nuk kanë dhënë shpjegime pse ka ndodhur ky rrënim që kualifikohej se selektiv dhe kontradiktor nga palët jashtë Komunës. E nga ana tjetër, pronarët e marketit “Le Shop”, nuk kanë rezistuar dhe sipas një urdhërese që ka ardhur nga Komuna me kohë kanë nisur demontimin e tendës, por që njëherësh kanë shprehur pakënaqësi të mëdha në mënyrën se si kanë vepruar zyrtarët. Fitim Krasniqi, ndër pronarët e marketit, ka deklaruar se rasti i tendës ka qenë një drejtësi selektive dhe me shumë kontradikta.
“Ka ardhur një vendim para 24 orësh ku është kërkuar largimi i menjëhershëm i tendës dhe ekzekutimi i vendimit. Kjo është e padrejtë, sepse këso procedurash me kohë kaq të shkurtër nuk gjenden askund në rruzull”, ka thënë ai.
Reagime ka pasur edhe nga opozita e kësaj komune. Lulzim Rrustemi, nënkryetar i Degës së PDK-së në Lipjan, ka thënë me këtë rast se pushteti lokal në Lipjan po dëshmon qartë se ka synim ngufatjen e bizneseve dhe jo mundësinë që të veprojnë lirshëm ata.
“Ne edhe më herët i kemi bërë thirrje pushtetit lokal që të lërë bizneset të veprojnë lirshëm dhe të mos marrin vendime selektive qoftë për rrënime, qoftë për inspektim projektesh, apo edhe të tjera. Kemi frikën se ky pushtet po dëshmon se ka për qëllim interesin personal dhe jo atë të qytetarit”, ka thënë Rrustemi. Të mërkurën, ndërkaq, me gjithë përpjekjet nuk ka qenë i mundur të merret një qëndrim zyrtar nga Komuna.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat