‘Danas’ e ‘Kurir’: Aktakuzë e mundshme kundër Haradinajt

Kosova

‘Danas’ e ‘Kurir’: Aktakuzë e mundshme kundër Haradinajt

Më: 24 korrik 2014 Në ora: 11:43

Gazetat serbe vazhdojnë edhe sot spekulimet rreth përmbajtjes së raportit të prokurorit special, Clint Williamson.
Gazetat “Danas” dhe “Kurir” citojnë burime diplomatike në Bruksel që kanë pohuar se është e mundur ngritja e aktakuzave për krime lufte kundër komandantëve të zonave operative të UÇK-së në bazë të dëshmive që do të botohen në raportin e p0rokurorit kryesor të ekipit Special për hetimin e tregtisë me organe njerëzore në Kosovë më 1999.
Sipas gazetës “Danas”, më i dalluari nga ata që mund të akuzohen është Ramush Haradinaj që ka udhëhequr në zonën e Dukagjinit, me bazë në fshatin Jabllanicë.
Tribunali i Hagës vite më parë e ka liruar Haradinajn, ish-kryeministrin e Kosovës, nga aktakuza për krime lufte kundër civilëve më 1998. Komandantë të zonave të tjera ishin Rrustem Mustafa-Remi, Rrahman Rama, Sami Lushtaku, Shukri Buja, Ekrem Rexha dhe Ahmet Nesufi.
“Danas” përkujton se informatat nga Brukseli thonë se janë gjetur dëshmi për krime lufte të kryera në zonat e liqenit Radoniq, Kleçkë, Zoçishtë dhe Bellaqevc.
Por, gjithnjë sipas medias serbe, nuk janë gjetur dëshmi të mjaftueshme për tregti me organe në Kosovë, krim të organizuar dhe për përgjegjësinë komanduese të shtabit qendror të UÇK-së. Ky fakt sipas gazetës serbe nënkupton se lideri politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, nuk do të jetë i përfshirë në aktakuza.
Joao Sousa, zëdhënësi i Kryeprokurorit Clint Williamson pohon se nuk do të bien në ndikim të presioneve politike dhe se këto që paraqiten në mediat e Kosovës dhe Serbisë janë spekulime.
Në një deklaratë dhënë “Danas”, Sousa ka shtuar se do të flasë më gjerësisht për raportin e Kryeprokurorit pas botimit të tij dhe se deri atëherë nuk do të komentojë spekulimet.
Zëdhënësi i ekipit special të EULEX, Sousa, gjithashtu ka deklaruar se kanë pasur bashkëpunim shumë të mirë me Prokurorinë e Serbisë dhe me institucionet përgjegjëse në Kosovë, si dhe u janë falënderuar të gjithëve për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat