Pesë ministra të Qeverisë së Përkohshme në akuzën e Williamsonit

Kosova

Pesë ministra të Qeverisë së Përkohshme në akuzën e Williamsonit

Më: 23 korrik 2014 Në ora: 15:09

Prokurori Special Clint Williamson të martën e ardhshme do të publikojë raportin hetimor të tij, mbi pretendimet për krime lufte në Kosovë.
Williamson i cili ka bërë një hetim 2 vjeçar rreth bazuar në raportin e senatorit zviceran Dick Marty këtë fillim javë qëndroi në Prishtinë dhe Beograd, ku u takua me zyrtarë institucional të të dyja shteteve.

Aktakuza e cila do të ngritet nga Gjykata Speciale, e bazuar në raportin e prokurorit Williamson, sipas burimeve të reporteri.net, përfshinë edhe figura të larta politike në vend. Ky burim ka bërë të ditur se në mesin e të akuzuarve për krime lufte do të jenë 5 ish ministra të Qeverisë së Përkohshme, e themeluar në vitin 1999, që në krye kishte për kryeministër, shefin e qeverisë aktuale të vendit, Hashim Thaçi.

Edhe pse kanë qarkulluar informacione kontroverse rreth përfshirjes eventuale të Thaçit në këtë aktakuzë, duket se kjo nuk do të ndodhë, pasi Williamson gjatë hetimit të tij nuk ka gjetur dëshmi të cilat do ta inkriminonin strukturën komanduese të UCK-së.

Pas qëndrimit të Williamsonit në Beograd, edhe mediat serbe janë marrë shumë me këtë temë.

E përditshmja Danas shkruan sot se, fytyra shumë të larta politike, që edhe më herët kanë qenë subjekt i gjykimeve, pritet përsëri të përballen me gjyqësorin ndërkombëtar. Kjo gazetë duke iu referuar burimeve të saj, thotë se fokus të prokurorëve ndërkombëtar, do të jenë pretendimet për krimet e pandehura në Radoniç, Zoqishtë, Bellaqevc dhe Kleçkë. Por, nuk ka fakte se ka pasur tregti me organet njerëzore në Kosovë, për krim të organizuar e as për përgjegjësi komanduese të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Ndërsa në anën tjetër e përditshmja serbe Blic, e cila duket të ketë më pak detaje në shkrimin për këtë temë, thotë se aktakuzë për vrasje të serbëve në Kosovë, do të ngritet ndaj Hashim Thaçit, Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit.

Kurse kryeprokurori serb për krime të luftës, Vladimir Vuciceviq ka deklaruar se ata si prokurori nuk e dinë saktë nëse ka pasur trafikim organesh apo jo në Kosovë. Dhe sipas tij, është shumë mirë që po publikohet raporti i hetimit të prokurorit ndërkombëtar Clint Williamson, përmes të cilit do të qartësohet kjo çështje, duke e vërtetuar këtë pretendim, apo edhe duke e hedhur poshtë si të pa faktuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat