Dëshmitari L ka dhënë deklaratë "me zor" para Prokurorit Salustro

Kosova

Dëshmitari L ka dhënë deklaratë "me zor" para Prokurorit Salustro

Më: 23 korrik 2014 Në ora: 13:30

Në gjykimin për krime lufte të “Grupit Drenica” filloi dëshminë e tij “Dëshmitari L”. Ai kërkoi që të lirohet prej orës 13:00-15:00 për të marrë pjesë në një funeral. Gjykata respektoi kërkesën e tij.
“Dëshmitari L’ që është vëllai i “Dëshmitarit A” tha në gjykatore se EULEX-i me detyrim ia ishte marrë deklaratën, kur u pyet nga prokurori Michalczuk se sa herë ka dhënë deklaratë në polici e prokurori.

“Kam dhanë deklaratë vetëm njëherë para prokurorit Salustro. Më kanë marrë me zor me dhanë atë deklaratë”, tha “Dëshmitari L”.

Prokurori më tutje tha se para vetes i kishte dy deklarata të këtij dëshmitari, njërën të dhënë në korrik, e tjetrën në tetor të vitit të kaluar, ndërsa pyeti “Dëshmitarin L” nëse kishte dhënë më shumë se njëherë deklarata.

Dëshmitari përsëriti të njëjtat fjalë. “Unë po tham e kam dhanë veç një deklaratë. Atë që më keni marrë me zor”, tha ai.

“Dëshmitari L” treoi se megjithatë ka nënshkruar deklaratën që pretendon se e dha nën presion.

Kjo kundërshti prokuror-dëshmitar, nxiti reagimin e Megjid Sylës, mbrojtësit të Jahir Demakut që në këtë proces akuzohet në bashkëkryerje për detyrim të rrahjes mes dëshmitarëve A dhe B dhe për kapje të “Dëshmitarit A” për organet gjenitale me një mjet të hekurt dhe zvarrisje të tij nëpër dysheme, transmeton kallxo.com.

Syla kërkoi të dijë se prej cilës deklaratë prokurori po e merr në pyetje dëshmitarin. Kryetari i trupit gjykues Silicki refuzoi kundërshtimin e avokatit me arsyetimin se prokuori po e pyet dëshmitarin në lidhje me atë që ka ndodhur në fshatin ku jetonte “Dëshmitari L”.

Më pas “Dëshmitari L”, i kërkoi leje gjykatës që të lirohet prej orës 13:00 deri në 15:00, pasi planifikonte të merrte pjesë në një funeral.

Gjykatësi Silicki pranoi kërkesën e dëshmitarit, duke thënë se njohim dhe respektojmë traditat tuaja.

Seanca sipas Silickit do të zgjasë vetëm deri në orën 13:00 për të vazhduar nesër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat