Tahiri: Po negociojmë planin konkret për heqjen e barrikadave

Kosova

Tahiri: Po negociojmë planin konkret për heqjen e barrikadave

Më: 22 korrik 2014 Në ora: 15:24

Qeveria kosovare po kërkon sot në Bruksel që të arrihet marrëveshje konkrete dhe me afate kohore për heqjen e të gjitha barrikadave në Mitrovicë, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë nga Brukseli, udhëheqësja e delegacionit kosovar në këto bisedime, Edita Tahiri.

Zëvendëskryeministrja Tahiri po e udhëheqë delegacionin kosovar pjesë e të cilit janë edhe kryetarët e dy komunave të Mitrovicës, ndërsa delegacionin serb po e udhëheqë Marko Gjuriq.

Diskutimet e sotme në Bruksel, ndonëse po mbahen me ftesë të Shefës për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, dialogu është ndërmjetësuar nga Fernando Gentilini.

Duke folur gjatë pauzës së drekës, zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë se bisedimet do të vazhdojnë edhe pasdite për arritjen e marrëveshjes për heqjen e të gjitha barrikadave dhe "për të funksionalizuar urën mbi Ibër, duke mundësuar kështu qasjen e lirë për këmbësorët dhe automjetët".

"Synimi jonë është të dalim me një plan konkret dhe me afate që të hiqen të gjitha barrikadat në urë dhe përreth urës...dhe i gjithë procesi të realizohet sipas ligjeve të shtetit të Kosovës", ka thënë përmes telefonit Edita Tahiri.

E pyetur nëse mund të parashohë arritjen e një marrëveshjeje, duke u mbështetur edhe në negociatat e zhvilluara në pjesën e parë të ditës, zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë se "në këto bisedime nuk mund të parashihet koha se kur mund të përfundoj takimi".

"Deri më tash, diskutimet janë bërë përreth asaj që çfarë kanë qenë arsyet e destabilizimit të situatës, pra asaj çfarë ka ndodhur. Pastaj, jemi kthyer për te parë zgjidhjet dhe në kuadër të zgjidhjes parashihet një plan konkret ku BE do të jap kontributin e saj për zgjidhjen e problemit në harmoni me ligjet e Kosovës", ka thënë më tej, Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat