Zbulohet busti i poetit Ali Podrimja dhe emertohet nje shesh me emrin e poetit

Kosova

Zbulohet busti i poetit Ali Podrimja dhe emertohet nje shesh me emrin e poetit

Më: 22 korrik 2014 Në ora: 10:21

Me një organizim letrar-muzikor, mbrëmë nga Komuna e Gjakovës është bërë përurimi i sheshit “Ali Podirmja” dhe zbulimi i bustit të poetit të shquar në dyvjetorin e vdekjes në Lodeve të Francës. Para adhuruesve të fjalës së shkruar dhe qyterarëve tjerë, Mimoza Kusari Lila, kryetare e Komunës së Gjakovës me përplot emocion ka shprehur ndjenjat për poetin gjakovar Ali Podrimja, por i cili u bë i njohur në tërë rruzullin e krijimtarisë letrare-poetike. Kryetarja e Komunës së Gjakovës ka thënë se sheshi tani është në ndërtim e sipër përderisa busti i Ali Podrimes tani veç është zbuluar. Për këtë nderim që i bëhet poetit Ali Podrimja, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka falënderuar fondacionin “Behgjet Pacolli” për investim si dhe skulptorin Luan Mulliqi i cili ka derdhur në bronz portretin e poetit. Skulptori Luan Mulliqi, si krijues dhe mik i poetit, ka pohuar se ndjehet krenar se Gjakovës po i rikthehet dinjitetit kulturor. Fjalë përkujtuese për poetin ka shprehur edhe krijuesi dhe përkthyesi Agim Byci, pastaj Hysen Ibrahimi, kryetar i shoqatës “Papa Klementi XI” në Suedi, si dhe Gent Salihu, nipi i poetit, i cili ka falënderuar gjithë kontribuuesit që Ali Podrimja, pos bustit tani në qytetin e tij të lindjes ka edhe sheshin me emrin e tij.
Një aktivitet tjetër letrar i ka paraprirë këtij aktiviteti, ku shoqata “Papa Klementi XI” ka bërë përurimin e veprës “Thesari Kombëtar 3”, ku janë përmbledhur krijime, intervista dhe aktivitete të shoqatës. Fjalë përshëndetëse ka mbajtur edhe kryetarja Mimoza Kusari Lila, e cila ka shprehur vlerësimin për aktivitetet e kësaj shoqate për aktivitete krijuese kombëtare në Suedi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat