Si mund të përgjigjet Kushtetuesja për çështjen “Mustafa”!?

Kosova

Si mund të përgjigjet Kushtetuesja për çështjen “Mustafa”!?

Më: 19 korrik 2014 Në ora: 14:50

Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të merr për bazë dy elemente për t’iu përgjigjur kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës, në lidhje me ligjshmërinë e zgjedhjes së Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese me gjasë nuk do të merret në lidhje me atë se kush është grupi më i madh parlamentar, për faktin se sipas nenit 70 të Kushtetutës së Kosovës mandati i deputetit është i lirë. Pra, duke u thirrur në këtë nen, Gjykata Kushtetuese, do t’ia jap të drejtën indirekt koalicionit LDK- AAK- Nisma që të jetë grupi më i madh parlamentar.

Citojnë mediat se nenin 70 të Kushtetutës së Kosovës, pikën 1 dhe 2 ku thuhet qartë se: Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues; Mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjes.
”Në momentin që KQZ-ja e certifikon një deputet, ai është i lirë të vendos se cili grup parlamentar do t’i takoj. Pra, duke u thirrur në këto dy pika Gjykata Kushtetuese e Kosovës do ta hedhë poshtë kërkesën e PDK-së se një deputet vetëm pas seancës konstituive mund t’i bashkohet cilitdo grup parlamentar”, ka thënë ky burim.

Ndërkaq, elementi i dytë mbi bazën e të cilit do t’i përgjigjet Gjykata Kushtetuese është nëse ka pasur shkelje të procedurave gjatë zgjedhjes së Isa Mustafës kryeparlamentar.
“Nëse vlerësohet se Flora Brovina nuk iu ka përmbajtur vendimit të Kryesisë së vjetër të Kuvendit, atëherë nuk do të kthehet në pikën zero çështja e zgjedhjes së Isa Mustafës në krye të Kuvendit. E, në rast se vlerësohet se ka pasur shkelje të procedurave në zgjedhjen e Isa Mustafës, çështja mund të rikthehet edhe një herë në pikën zero, pra procedurat do të rikthehen nga fillimi”, ka thënë ky burim.

Ndryshe, të premten PDK-ja e kishte dërguar para Gjykatës Kushtetuese çështjen e zgjedhjes së Isa Mustafës në krye të Kuvendit të Kosovës. zyrtarët e PDK-së shprehen të bindur se ka pasur shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Punës së Kuvendit. Zyrtarët e PDK-së thonë se ata janë grupi më i madh parlamentar dhe atyre u takon posti i kryeparlamentarit.

Ndryshe, para një muaji në një intervistë që e kishte dhënë kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani kishte thënë se çështja e Grupit Parlamentar është çështje politike dhe gjykata nuk ka të drejtë që ta interpretojë.

“Propozuesin unë s’mund ta komentoj. As Grupin Parlamentar as unë e as Gjykata Kushtetuese nuk mund ta komentojmë, sepse kjo është një çështje politike”, ka thënë Enver Hasani. Sipas tij, ajo çështje quhet politike, sepse nuk mund të zgjidhet me mjete juridike. “Janë çështje që ne nuk mund ta interpretojmë”, ka thënë Hasani.

Për çështjen e kryeparlamentarit dhe të grupit parlamentarit, nga minuta 55 e videos së mëposhtme është deklarata e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat