Mustafa: S’i kemi faj PDK-së që mbeti vet me 37 deputetë

Zgjedhjet 2014

Mustafa: S’i kemi faj PDK-së që mbeti vet me 37 deputetë

Më: 19 korrik 2014 Në ora: 09:30

Lideri i LDK-së, njëherësh kryeparlamentari i zgjedhur në seancën konstitutive të Kuvendit të Kosovës, e cila u përcoll me shumë parregullsi, ka thënë se beson që Gjykata Kushtetuese e Kosovës do ta trajtojë në mënyrë të paanshme dhe profesionale lëndën e parashtruar nga PDK.

Mustafa gjithashtu ka thënë se nuk është faji i koalicionit LDK-AAK-Nisma që PDK s’i pati 83 deputetë për ta përkrahur, por vetëm 37 sosh.

“Kam besim të plotë se Gjykata Kushtetuese do ta trajtoj në mënyrë të paanshme dhe profesionale lëndën e parashtruar nga PDK. Por jam shumë i bindur se PDK do të duhej ti adresohej vetvetes, dhe t'ia shtroj pyetjen: pse nuk i pati me veti 83 deputetë për ta përkrahur, por mbeti vet me 37 deputetë. Këtë përgjigje nuk mund ta merr nga Gjykata Kushtetuese, sepse kjo është përgjigje politike”, ka thënë Mustafa në një postim të tijin në Facebook.

Grupi Parlamentar LDK AAK Nisma, sipas tij, e ndjen veten të fuqishëm me përkrahjen e 83 deputetëve dhe me votën që e mori në seancën Konstituive të Kuvendit. “Unë kam përgjegjësi ndaj votës së deputetëve që përfaqësojnë vullnetin e sovranit dhe do të punojë për mbarëvajtjen e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka theksuar më tej Mustafa.

I porsazgjedhuri në pozitën e kryeparlamentarit, Isa Mustafa, është shprehur i bindur se çdo ndërhyrje politike dhe çdo jo konsekuencë në këtë proces, vetëm sa do ta prolongojë konstituimin e Qeverisë dhe punën normale të Kuvendit, “por se rezultat do të jetë mobilizimi edhe më i madh dhe partneriteti i të gjitha forcave që nuk pajtohen me këtë sjellje dhe qeverisje të PDK-së, përkatësisht i LDK-së, VV, AAK-së, Nismës dhe deputetëve që përfaqësojnë popullatën jo shumicë”, ka thënë më tej Mustafa.

Ndërkaq, lideri i LDK-së ka thënë se Kosovës i nevojitet që sa më shpejt të themelohet Qeveria e dalë nga këto zgjedhje, duke cituar edhe fjalët e kancelares Merkel e cila dje kishte deklaruar se kjo duhet të ndodhë urgjentisht.
“Partia Demokratike e Kosovës e uzurpoi me veprimet e saj dhe përmes deputetes Flora Brovina konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës më 17 qershor, prandaj e drejta e 83 deputetëve të cilët vazhduan mbledhjen për t’i zgjedhur organet e Kuvendit ishte pasojë e këtij uzurpimi të paparë deri më tani në jetën parlamentare të Kosovës”, ka komentuar Mustafa.

Mustafa ka falënderuar të gjithë 65 deputetët që e kanë votuar për Kryetar të Kuvendit nga 83 deputetë sa ishin në sallë.
“Falënderoj edhe deputetët e Lëvizjen Vetëvendosje për qëndrimin e tyre konstruktiv dhe shtetëformues. Ndërkaq, votën e tyre e respektoj si votë të vullnetit politik”, u shpreh Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat