Tahiri thërret Ferizajasit të nënshkruajnë peticionin

Kosova

Tahiri thërret Ferizajasit të nënshkruajnë peticionin

Më: 15 korrik 2014 Në ora: 18:22

Për nënshkrimin e peticionit, me të cilin po kërkohet drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovës, zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri, ka dalë edhe jashtë Prishtinës.

Ajo ka vizituar sot Ferizajn, njërën ndër komunat ku ka nisur të nënshkruhet ky peticion dhe u ka bërë thirrje ferizajasve për ta nënshkruar këtë dokument sa më masovikisht, për shkak të rëndësisë së tij.

Tahiri është pritur në Ferizaj nga kryetari i komunës Muharrem Svarqa dhe gratë asamblistë të Ferizajt.

"Ne kërkojmë mbështetjen e Komunës që t’u bëjë ftesë qytetarëve për ta nënshkruar në mënyrë sa më masive këtë peticion, si një akt moral dhe kombëtar. Me këtë kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Peticioni ka qëllim që t’u japim mbështetje të fuqishme këtyre zonjave, të cilat kanë pësuar në tragjedinë e luftës së fundit në Kosovë. Të bëhemi të gjithë së bashku që t’u tregojmë atyre zonjave se jemi me to, por edhe t'i tregojmë botës së mbarë për tragjedinë që kanë përjetuar femrat në Kosovë gjatë luftës", ka theksuar Tahiri.

Ajo më tej ka shtuar se ky peticion do t'i adresohet institucioneve më të larta ndërkombëtare.

"Historia jonë në luftën për liri ka krenarinë e madhe, por në këtë ka pasur edhe vuajtje të cilat edhe sot e asaj ditë ne po i përjetojmë. Ky peticion do ti drejtohet OKB-së, ku do të bëhet një raport zyrtar se çfarë ka ndodhur në luftën e Kosovës dhe si është keqtrajtuar femra, ku dhunimi i grave është përdorur si instrument lufte, fenomen i cili duhet të ndalet në gjithë botën”, ka theksuar Edita Tahiri, e cila ka falënderuar kryetarin e Ferizajt për mbështetjen e pa rezervë që po jep në realizimin e këtij peticioni.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa ka falënderuar zëvendëskryeministren për prezencën në Ferizaj dhe aksionin e saj të ndërmarrë për vendosjen e drejtësisë, në veçanti për gratë që kanë përjetuar dhunën sistematike dhe dhunimet gjatë luftës së fundit.

"Shpreh falënderimet e mia për znj.Tahiri që gjeti kohë ta vizitojë Ferizajn dhe e siguroi se ne do të punojmë që ky peticion të jetë sa më masovik, e në kuadër të këtij aksioni do të angazhojmë edhe kryetarët nëpër fshatra që ky aksion të jetë sa më gjithëpërfshirës", ka thënë kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa.

Me këtë rast kryetari Svarqa u bëri apel qytetarëve, të cilët nuk e kanë nënshkruar deri tani këtë peticion që këtë ta bëjnë deri në mbyllje të tij, deri të premten, për shkak të rëndësisë së tij, që lidhet me ndriçimin e fakteve dhe rikthimin e dinjitetit të të gjithë viktimave që kanë pësuar gjatë luftës në Kosovë.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri gjatë ditës ka përcjell rrjedhën e peticionit në disa komuna të Kosovës.-

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat