Haziri: Pa vendosjen e drejtësisë në vendin e saj s’mund të ketë rehati

Kosova

Haziri: Pa vendosjen e drejtësisë në vendin e saj s’mund të ketë rehati

Më: 15 korrik 2014 Në ora: 15:27

Sot në Komunën e Gjilanit ka vazhduar nënshkrimi i peticioni nga qytetarët, ku sot nënshkrimin e tyre e kanë vënë edhe kreu i Komunës Lutfi Haziri, kryesuesja e Kuvendit Valentina Bunjaku - Rexhepi, nënkryetari i Komunës Rexhep Kadriu, drejtorët e drejtorive Komunale dhe përfaqësues të partive politike, policisë, OJQ-ve etj.

Me këtë rast, Edita Tahiri, zëvendës kryeministre dhe kryesuese e Grupit të Grave për nënshkrimin e Peticionit ka thënë se sot në Gjilan ka ardhur për të parë nga afër procesin e nënshkrimit të peticionit në kërkim të drejtësisë ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovës.

“Sot jemi këtu në Gjilan për të parë nga afër nënshkrimin e peticionit për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Ne kërkojmë mbështetjen e Komunës që t’u bëjë ftesë qytetarëve për ta nënshkruar në mënyrë sa më masive këtë peticion, si një akt moral dhe kombëtar. Me këtë kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Peticioni ka qëllim që t’u japim mbështetje të fuqishme këtyre zonjave të cilat kanë pësuar në tragjedinë e luftës së fundit në Kosovë. Të bëhemi të gjithë së bashku që t’u tregojmë atyre zonjave se jemi me to, por edhe ti tregojmë botës së mbarë për tragjedinë që kanë përjetuar femrat në Kosovë gjatë luftës. Historia jonë në luftën për liri ka krenarinë e madhe, por në këtë ka pasur edhe vuajtje të cilat edhe sot e asaj ditë ne po i përjetojmë. Ky peticion do ti drejtohet OKB-së, ku do të bëhet një raport zyrtar se çfarë ka ndodhur në luftën e Kosovës dhe si është keqtrajtuar femra, ku dhunimi i grave është përdorur si instrument lufte, fenomen i cili duhet të ndalet në gjithë botën”, ka thënë Tahiri ndër të tjerash.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar në emër të qytetarëve të Gjilanit, zëvendës kryeministren për prezencën në Gjilan dhe aksionin e saj të ndërmarr për vendosjen e drejtësisë, karshi një dhunë dhe një gjenocidi që ka ndodhur në Kosovë, në veçanti ndaj grave dhe dhunimit sistematik që Kosova e ka përjetuar.

“Pajtohem se pa vendosjen e drejtësisë në vendin e saj, nuk mund të ketë rehati, qetësi dhe nuk mund të ketë drejtësi përfundimisht. Nga dje trendi i nënshkrimit të peticionit ka nisur të rritet nga momenti në moment dhe përgjigja e qytetarëve për këtë aksion është masive.

Mundësia do ti krijohet çdo qytetari që të vij këtu dhe të nënshkruaj. Solidariteti në Gjilan është jashtëzakonisht i madh dhe kërkesa për vendosje të drejtësisë është kërkesa kryesore”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat