FSK ka nevojë për ndihmën e NATO-së

Kosova

FSK ka nevojë për ndihmën e NATO-së

Më: 15 korrik 2014 Në ora: 12:34

Zëvendëskomandantit suprem i Aleancës së NATO-s për Evropë, gjeneral Sir Adrian Bradshaw po qëndron sot në Kosovë. Ai ka zhvilluar një takim me Ministrin në largim të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku.

Gjenerali Bradshaw në një konferencë për media bashkë me ministrin e FSK-së në largim, Agim Çeku, ka thëne se raportet e NATO-s me FSK-në, janë shumë të mira.

“Dua të veçoj bashkëpunimin e fortë që kemi pasur që nga fillimi me ju dhe organizatën tuaj. Raportet e NATO-s me trupën tuaj janë të forta dhe kanë një marrëdhënie shumë të mirë dhe ne urojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë”, ka thënë Bradshaw.

Kurse, ministri në largim, Çeku, deklaroi se nga zëvendëskomandanti suprem i Aleancës së NATO-s për Evropë, ka marrë përkrahjen dhe garancinë se bashkëpunimi me FSK-në do të rritet edhe më shumë.

“Ne, si Kosovë, e sidomos si FSK, kemi nevojë që të punojmë bashkë me NATO-n, që të mësojmë nga NATO, që të evoluojmë bashkë me NATO-n, që të reformohemi bashkë me NATO-n, andaj na nevojitet mbështetja e tyre, asistenca e tyre dhe këshillimi i tyre. Në të gjitha kërkesa tona morëm përgjigje pozitive nga gjenerali Brashaw”, ka deklaruar Çeku.

Me rastin e kësaj vizite, gjenerali Bradshaw është pritur me nderime nga Garda Ceremoniale e FSK-së, ku për herë të parë Garda është paraqitur me uniformën e re me elemente tradicionale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat