Presidentja Jahjaga takohet me presidentin kroat Ivo Josipoviq

Kosova

Presidentja Jahjaga takohet me presidentin kroat Ivo Josipoviq

Më: 14 korrik 2014 Në ora: 17:54

Presidentja Jahjaga u prit sot ne Dubrovnik nga presidenti i Republikës së Kroacisë, zotëri Ivo Josipoviq, me ftesë të të cilit po merr pjesë në Samitin Bërdo - Brioni.
Jahjaga dhe Josipoviq biseduan për nevojën e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit, posaçërisht në fushën e energjisë dhe të infrastrukturës si dhe në atë të ekonomisë duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore që ndihmon perspektivën evropiane të secilit vend.

Të dy presidentët theksuan se rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të flas me një zë për proceset integruese dhe posaçërisht për bashkëpunimin ndërmjet vendeve që do të ndihmojë edhe përkrahjen e projekteve të përbashkëta rajonale nga BE.

Ata theksuan se perspektiva evropiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë e qartë dhe integrimi arrihet vetëm përmes ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, merr pjesë në Samitin Bërdo-Brioni, të tretin me radhë, që sivjet organizohet në Dubrovnik me mikpritës Presidentin e Republikës së Kroacisë Ivo Josipoviq dhe me pjesëmarrjen e kancelares gjermane, Angela Merkel.

Samiti Bërdo Brioni është një nismë e përbashkët e presidentëve të Sllovenisë dhe Kroacisë për të ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat