Askush s’mund të jetë mik i Amerikës përderisa ballafaqohet me drejtësinë dhe keqpërdorë fuqinë politike

Kosova

Askush s’mund të jetë mik i Amerikës përderisa ballafaqohet me drejtësinë dhe keqpërdorë fuqinë politike

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 14 korrik 2014 Në ora: 10:58

Drejtori i “Rockfeller Brothers” për Ballkanin Perëndimor, Haki Abazi në një bisedë për gazetën “Bota sot” thotë se vizita e znj. Nuland është në kuadër të vizitave të rregullta të zyrtarëve Amerikan që i bëjnë regjionit, që sipas tij ka një rëndësi të madhe për Kosovën.

“Natyrisht që pas zhvillimeve në Ukrainë dhe gjithashtu marrëveshjeve ekonomike tregtare të vendeve në regjion me Rusinë po ashtu edhe çështjet tjera siç janë integrimi në EU dhe NATO të vendeve të Ballkanit, kjo vizitë ka rendësi shumë të madhe dhe përkujdesja e SHBA-ve që vendet në rajon të janë të determinuara që të ecin sigurtë drejt integrimeve euroatlantike dhe gjithashtu përmbushjen e standardeve evropiane”, thotë Abazi.

Abazi thekson se eliminimi i krimit dhe luftimi i pakompromis i korrupsionit janë çështjet kryesore meqë pa këto të dyja zbatimi i ligjit dhe funksionimi i sistemit juridik është i pashmangshëm.

“Me këtë problem integrimet janë të pamundura ashtu siç edhe është rasti i Kosovës për liberalizimin e vizave apo konflikti në Maqedoni kur drejtësia është e ndikuar nga agjendat ditore politike”, potencon ai.

Sipas tij, askush nuk mund të jetë mik i Amerikës përderisa ballafaqohet me drejtësinë dhe keqpërdor pozitën dhe fuqinë politike.

“Fjalimi i znj. Nuland në Dubrovnik është indikator dhe mesazh i fuqishëm se SHBA nuk do të vazhdoje të jetë spektatorë i proceseve të pasurimit të politikaneve nga fondet publike dhe se askush nuk mund të jetë mik i Amerikës përderisa ballafaqohet me drejtësinë dhe keqpërdorë pozitën dhe fuqinë politike për të bërë një gjë të tillë. Ky është shumë mesazh i mirëseardhur për regjionin i cili po stagnon në zhvillim pikërisht si rezultat i korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thotë Haki Abazi.

Ndërsa, analisti politik, Nehat Hyseni, thotë për gazetën “Bota sot” se, nga vizita e Ndihmëssekretarës së shtetit, z. Victoria Nuland, që ia bëri të dielën, më 13 korrik 2013, Kosovës, në kuadër të turneut të saj në rajon dhe në Angli, mësuam qëndrimin e ashpër të Administratës Amerikane kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që i karakterizon vendet e Ballkanit, e sidomos Kosovën.

“Zonja Victoria Nuland, në një diskutim që e pati të shtunën, më 12 korrik 2014, në Dubrovnik, para se të vijë në Kosovë, përdori një fjalor tejet të ashpër, që ndoshta i kalon edhe kufijtë e kujdesit diplomatik, për dhënie të mesazhit shumë të qartë dhe eksplicit kundër korrupsionit që është duke mbretëruar në rajon. Ajo ka folur për "politikanë të ndyrë që qëllimin e kanë pasurimin e shpejtë në llogari të qytetarëve". Sipas znj. Nuland, "korrupsioni, demokracia e ngadaltë, konfliktet e zgjatura, tensionet etnike dhe dhuna mund të kërcënojnë shumë shtete”, thotë Hyseni.

Por, a ka Kosova kësi politikanë si i përshkruan znj. Nuland?

“Unë mendoj se pikërisht Kosova është vendi i cili, si asnjë shtet tjetër në rajon, mjerisht, i posedon të gjitha këto dukuri negative: korrupsionin, që e ka me përmasa të mëdha, madje të paimagjinueshme, që e hasë në çdo hap duke filluar nga instancat më të larta të pushtetit, e deri tek administratori më i ulët i hierarkisë shtetërore, që rrezikon seriozisht themelet e kësaj shoqërie. Nga korrupsioni janë krijuar politikanë të pasur në Kosovë, milionerë e miliarderë, të cilët asgjë nuk punojnë dhe çka është më me rëndësi, para çlirimit të Kosovës me bombardimet e NATO-s, në vitin 1999, asgjë nuk kanë pasur”, potencon ai.

Sipas tij, shumica prej tyre nuk kanë pasur madje as bukën e gojës të siguruar, kurse sot jetojnë në luks marramendës, si sheikë dhe nuk u dihet fundi i pasurisë së tyre.

“Ata, pra, u pasuruan nga ushtrimi, ose më mirë me thënë, nga keqpërdorimi i pushtetit. Me plotë të drejtë z. Nuland këta i quan "politikanë të ndyrë që kanë për qëllim pasurimin e shpejtë, në llogari të qytetarëve". Ata kanë uzurpuar demokracinë, duke e ngulfatur dhe pamundësuar për tu zhvilluar dhe për ta shijuar qytetarët e Kosovës, duke e ngadalësuar kështu edhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”, thekson Hyseni.

Hyseni pohon se, edhe imazhi ndërkombëtar i Kosovës është zbehur e komprometuar deri në atë masë, sa që pothuajse janë bllokuar plotësisht investimet e huaja dhe kapitalit ndërkombëtar në ekonominë kosovare, duke e ngushtuar kështu perspektivën dhe shpresat e popullatës për ditë më të mira, e sidomos të të rinjve.

“Prandaj, jemi dëshmitarë të një shpërngulje masovike të popullsisë, e sidomos të të rinjve, që është duke ndodhur pikërisht pas çlirimit dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu, z. Victoria Nuland, si një mike e madhe e Kosovës, i përmendi edhe dukuritë tjera negative që e rëndojnë situatën në rajon dhe në Kosovë, siç janë konfliktet dhe tensionet ndëretnike, që kanë të bëjnë me situatën e tensionuar në veri të Kosovës, lidhur me të ashtuquajturin "Park i Paqes" mbi lumin Ibër në Mitrovicë, si dhe lidhur me tentativat e serbëve për ndërtimin e sheshit "Car Llazar", etj.”, thotë Hyseni.

Ai shton se, vizitën e zonjës Victoria Nuland, si Zëvendëssekretare e shtetit mik SHBA-së, duhet mirëkuptuar, ashtu si atë të James Rubbinit vitin e kaluar, që si miq të mëdhenj të Kosovës dhe shqiptarve, na dhanë këshilla miqësore dhe qortime dashamirëse, të cilat duhet mirëkuptuar e zbatuar me përpikmëri, në të mirën e shtetit dhe mirëqenies tonë, për ta hequr qafe sa më parë izolimin dhe getoizimin e Kosovës dhe popullit të saj, në të cilin akoma jemi dhe nga i cili duhet të dalim sa më parë me ndihmën e miqve ndërkombëtarë, si dhe të realizojmë një shkallë më të shpejtuar të zhvillimit ekonomik, për ta bërë Kosovën vend të bukur për jetesë dhe joshës për të gjithë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat