Në institucione nuk ka vend për politikanët e pasuruar brenda natës!

Kosova

Në institucione nuk ka vend për politikanët e pasuruar brenda natës!

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 13 korrik 2014 Në ora: 17:02

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland gjatë një turneu vizitash në vendet ballkanike, të dielën e ka vizituar edhe Kosovën. Diplomatja Nuland, gjatë qëndrimit në Prishtinë është takuar me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, me Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, me atë të AAK-së Ramush Haradinaj si dhe me Kryeministrin në ikje Hashim Thaçin, ndërsa ka anashkaluar Liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe Kryetarin e Nismës për Kosovën, Fatmir Limen.

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland mirëpriti vlerësimet e Presidentes në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe korrupsionit dhe u pajtua në nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm.

Ish deputeti i Parlamentit të Kosovës, Gani Geci, thotë për gazetën “Bota sot” se shtetet e Bashkuara të Amerikës janë prezentë në gjithë Evropën e veçmas në Ballkan dhe ekskluzivisht në Shqipëri dhe në Kosovë.

Geci thotë kështu, duke e komentuar deklaratën e Victoria Nuland, ku tha se në rajon mbretëron korrupsioni, duke theksuar se politikanët e ndyrë kanë për qëllim pasurimin e shpejtë në llogari të qytetarëve si dhe, korrupsioni, demokracia e ngadaltë, konfliktet e zgjatura, tensionet etnike dhe dhuna mund të kërcënojë shumë shtete.

“Edhe qytetari i thjesht mund ta kuptoj që në Kosovë ka politikan, dajë i politikanit, nipi apo vëllai janë bërë milioner brenda nate dhe nuk duhet filozofi për ta kuptuar këtë. Problemi në Kosovë është me e gjet një politikan që nuk është i korruptuar se për të korruptuar janë të gjithë qeta që po i njohim, apo shkoj njëri erdh tjetri, edhe ma i keq i riu se i vjetri thotë një fjalë e urtë popullore”, vlerëson Geci.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të hënën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat