Jahjaga dhe Nuland flasim për radikalizëm në Kosovë

Kosova

Jahjaga dhe Nuland flasim për radikalizëm në Kosovë

Më: 13 korrik 2014 Në ora: 14:34

Ndihmëssekretarja e shtetit të SHBA-ve për Evropë dhe Azi, ambasadoren Victoria Nuland gjatë takimit me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga ritheksoi përkrahjen e fuqishme të Qeverise Amerikane për Kosovën dhe përpjekjet e saj drejt integrimit më të gjerë Euro-Atlantik.
Ajo theksoi rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi dhe progresin e implementimit të marrëveshjes për normalizim të arritur në Bruksel më 19 Prill 2013.
Kështu thuhet në njoftimin e presidencës, ku sipas tyre, Nuland mirëpriti vlerësimet e Presidentes në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe korrupsionit dhe u pajtua në nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm.
Gjatë takimit ato thuhet se diskutuan për përparimet e Kosovës dhe zhvillimet aktuale në vend dhe rajon.
Por thuhet se Presidentja Jahjaga gjithashtu ka adresuar sfidën e sigurisë që paraqet radikalizmi për Kosovën dhe rajonin, por tha se Kosova i është përgjigjur me konstruktivitet duke ndërmarrë hapa të fuqishëm ligjor dhe të sigurisë për të mposhtur këtë kërcënim dhe se shumica e qytetarëve të Kosovës janë kundër këtij fenomeni negativ.

Kosova nuk do të jetë vend i sigurt ose rrugë tranzitore për këto elemente dhe do të punojmë në partneritet të ngushtë me aleatët tonë për të adresuar këto kërcënime”, thuhet në njoftim.
Presidentja Jahjaga tha se me angazhimin në dialogun intensiv me Republikën e Serbisë, Republika e Kosovës do që të krijojë normalizim dhe të forcojë sovranitetin e saj.
Presidentja theksoi se progresi i arritur deri tani është i rëndësishëm por që zbatimi i marrëveshjeve të arritura me ndihmën e BE-së janë faktor kyç, përshirë edhe largimin e barrikadave që janë pengesë serioze në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet dy vendeve.
Presidentja Jahjaga ka siguruar ndihmëssekretaren Nuland se dialogu me Serbinë do të vazhdojë të jetë prioritet dhe ka theksuar nevojën e kushtëzimit të rrugës së Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së me përparimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Sa i përket formimit të Qeverisë së re, Presidentja Jahjaga ka vlerësuar lartë përfundimin e suksesshëm të procesit zgjedhor në Kosovë dhe tha se ajo është e përkushtuar të veprojë si faktor uniteti për të siguruar funksionimin demokratik të institucioneve në një proces kredibil, transparent dhe gjithëpërfshirës duke theksuar që institucionet e reja duhet të shtyjnë përpara Kosovën dhe agjendën drejt BE-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat