Kosova synon ta nënshkruaj MSA'në deri në fund të korrikut

Kosova

Kosova synon ta nënshkruaj MSA'në deri në fund të korrikut

Më: 11 korrik 2014 Në ora: 20:32

Ministri i Jashtëm i Kosovës në largim, Enver Hoxhaj po merr pjesë në Forumin e Kroacisë, që po mbahet në Dubrovnik me temën e BE'së dhe Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e tij para shumë ministrave evropianë dhe atyre nga rajoni, Hoxhaj ka folur për perspektiven evropiane të Kosovës dhe punët që ka bërë deri më tani Qeveria sa i përket përmbushjes së obligimeve të saj.

Sipas Hoxhajt, varësisht nga zhvillimet, Kosova synon ta nënshkruaj MSA-në me BE-në deri në fund të muajit korrik.

“Gjatë ditës së sotme kam marrë pjesë në Forumin e Kroacisë ku kam pasur mundësinë që në paraqitjen time të ngris disa prej çështjeve kyçe që kanë të bëjnë me Kosovën. Së pari, BE-ja pa Kosovën nuk është e plotë dhe ne presim që deri në fund të korrikut ta nënshkruajmë MSA-në. Së dyti, Kosova gjatë këtyre tri viteve të fundit përmes pjesëmarrjes në dialogun me Serbinë është bërë një model se si përmes marrëveshjeve dhe dialogut të zgjidhen edhe probleme të tjera në rajon. Të gjitha këto flasin për një politikë të suksesshme dhe një ngritje të Kosovës në politikën e jashtme”, ka theksuar Hoxhaj, thuhet në një njoftim për media nga MPJ.

Në këtë forum, ka folur edhe Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, e cila ka përshëndetur të arriturat e Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut, duke thënë se Ballkani Perëndimor ka të ardhme të sigurt drejt BE-së.

Ajo të dielën do ta vizitojë Kosovën ku pritet të ketë takime me krerë institucionesh dhe udhëheqës të partive politike.

Hoxhaj pritet ta vazhdojë agjendën e tij edhe në ditën e dytë të Forumit të Kroacisë, që për çdo vit mbahet në Dubrovnik dhe mbledhë krerë shtetesh e ministra të jashtëm nga Evropa dhe bota.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat