Zbardhen SMS'të e Lavdrim Muhaxherit dhe 4 të dyshuarve për terrorizëm

Kosova

Zbardhen SMS'të e Lavdrim Muhaxherit dhe 4 të dyshuarve për terrorizëm

Më: 11 korrik 2014 Në ora: 00:22

Katër të dyshuar për terrorizëm: Ilir Berisha, Sadat Topojani, Jetmir Kyçyku dhe Burim Ballazhi vazhdimisht kishin komunikuar me udhëheqësin e shqiptarëve të ISIS'it në Siri, Lavdrim Muhaxheri, përmes të cilit kishin bërë rekrutimin e personave për në luftën e Sirisë, ndërsa rrugëtimi i tyre nga Kosova në Siri, bëhej përmes Turqisë.
Tv Rrokum ka siguruar dosjen e prokurorisë lidhur me katër të dyshuarit për terrorizëm: Ilir Berisha, Sadat Topojani, Jetmir Kyçyku që të tre nga Kaçaniku, si dhe Burim Ballazhi nga Ferizaj, për të cilët sipas prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se kanë qenë në luftë në Siri dhe kanë luftuar në kuadër të organizatave terroriste Jabat al –Nusra” dhe ISIS.

Të pandehurit Ilir Berisha dhe Sadat Topojani sipas prokurorisë merreshin me rekrutimin e personave të tjerë në rrethinën e Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, për të shkuar në luftë në Siri, ndërsa të pandehurit Jetmir Kyçyku dhe Burim Ballazhi në bashkëpunim me Lavdim Muhaxherin kanë ndihmuar në organizimin dhe rekrutimin e disa të rinjve të rrethit të Kaçanikut e më gjerë, për ti motivuar që ti bashkëngjiten organizatave terroriste për luftë në Siri.

Të njëjtit dyshohen për përfshirje në vepra penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, “Rekrutim për terrorizëm dhe “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetarë apo etnik”.

Prokuroria Speciale ka nisur hetimet ndaj tyre me 11 prill të këtij viti , dhe pas analizimit të hollësishëm të raporteve dhe shkresave të tjera të lëndës, rezulton se Ilir Berisha është udhëheqës i OJQ-së e cila është aktive “Rinia Islamike” në Kaçanik, ku një pjesë a anëtarëve të kësaj OJQ-je janë të përfshirë në luftën e Sirisë.

Nga zbatimi i masës së fshehtë përfshirë regjistrimin e thirrjeve telefonike dhe SMS-ve, prokuroria ka arritur të identifikoj lidhjet mes udhëheqësit të shqiptarëve të ISIS në Siri Lavdrim Muhaxheri dhe katër të pandehurve të tjerë.

Përmes shkëmbimit të SMS've mes Lavdrim Muhaxherit dhe Ilir Berishës, rezulton se Lavdrimi gjendet në luftë në Siri dhe i thotë Ilirit se vendin e ka bërë gati dhe mund të shkoj kush të dëshiron dhe ta kontaktoj atë me SMS ose të telefonoj atë, ndërsa Iliri që gjendet në Kosovë, i drejtonte dhe organizonte personat tjerë që dëshironin të shkojnë në luftë në Siri, duke krijuar lidhje përmes Lavdrimit dhe personave të tjerë që gjenden në Turqi.

Po ashtu në bazë të përgjimeve të hetuesisë, në dosjen e prokurorisë, zbardhen edhe SMS-të kur Ilir Berisha e njofton Ladrim Muhaxherin se disa persona në korrik të 2013 kanë vendosur për të shkuar në luftë në Siri.

Disa nga SMS-të e shkëmbyer mes Ilirit dhe Lavdrimit që ka zbardhur prokuroria janë: “Alejkum Selam vlla… O vlla mas qesaj jave dojnë mu nis do njerëz për jashtë, a ke nr të najkujt që del mi prit e mi marr dojnë me ardh te ti. Qysh me ja bo kallzom qysh mujn me ardh?”

Po ashtu përmes një SMS've Iliri e ka njoftuar Lavdrimin se janë pesë persona të cilët po nisën për Siri.

“Vlla janë 5 veta nr Ebu Ridvanit e kam, a je tu than per qeta, kallzom kur me thirrë turkin, prejt cilit vend me thirrë?”

Me 7 tetor 2013, Iliri i dërgon SMS Kjani Mjakut , i cili tashmë është vrarë në luftë në Siri. Ndryshe tre nga të dyshuarve Ilir Berisha, Sadat Topojani, Jetmir Kycyku që të tre nga Kaçaniku janë arrestuar me 26 qershor të këtij viti nga njësiti kundër terrorizëm i Policisë së Kosovës, ndërsa disa ditë ma vonë u arrestuar edhe Burim Ballzhi nga Ferizaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat