PDK fillon t'i bindet Bahtirit

Kosova

PDK fillon t'i bindet Bahtirit

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 15:34

Prej ardhjes në krye të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, nuk ka është mbështetur thuajse në asnjë çështje me rëndësi nga PDK-ja. Raportet e acaruara në fushatë zgjedhore, u reflektuan edhe në gjysmën e parë të këtij viti, ku PDK-ja vazhdimisht ka kritikuar qeverisjen Bahtiri.

Raportet ndërmjet tyre u tensionuan së tepërmi, ku tashmë ish-asambleisti i AKR-së, Gazmend Muja, kaloi në grupin e asambleistëve të PDK-së në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës në fund të muajit maj. Me këtë rast u raportua se Kryetari Bahtiri i tha Mujës “hajni shkon të hajnat”, ku me pas situata u tensionua në Kuvendin Komunal, gjë që kishte për pasojë braktisjen e seancës nga PDK-ja. Majde, këta të fundit kërkuan nga Bahtiri që të kërkoj falje, si kusht për t’u kthyer në Kuvend, gjë të cilën ai nuk e bëri.

Marrëdhëniet e acaruara në mes Kryetarit Agim Bahtiri dhe degës së PDK-së në Mitrovicë u vërtetuan edhe pas protestës së dhunshme të mbajtur në Mitrovicë me 22 qershor, ku të nesërmen kryetari Bahtiri kishte ftuar një takim me partitë politike që përfaqësohen në Kuvendin Komunal, por atë takim e kishin bojkotuar PDK-ja dhe partneri i saj, PD-ja.

Por ende pa kaluar dy muaj, raportet duket se kanë filluar të ndryshojnë. Në një komunikatë për media të dërguar nga Zyra për Informim e Komunës së Mitrovicës, thuhet se përfaqësuesit e partive politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës, kanë diskutuar në një takim të ftuar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, situatën politike e të sigurisë në komunë, të krijuar pas provokimit të drejtuesve serb të Komunës së re në veri të Mitrovicës, të cilët në orët e paradites kanë filluar prishjen e udhëkryqit kryesor të rrugëve në cepin verior të lumit Ibër, për të ndërtuar kinse një shëtitore, raporton Veriu.info.

Bëhet e ditur se në këtë takim ka marrë pjesë edhe PDK-ja. “Përfaqësuesit e partive politike: PDK, LDK, VV, AKR, AAK dhe PD, vlerësuan njëzëri se ky veprim i drejtuesve serb në veri të qytetit është një veprim antiligjor i drejtuar kundër paqes dhe sigurisë në këtë pjesë të Republikës së Kosovës dhe ka për qëllim destabilizimin e situatës së përgjithshme dhe përkeqësimin e mëtutjeshëm të raporteve ndëretnike dhe ndërnjerëzore në veriun e vendit. Në fund, përfaqësuesit e partive politike kërkojnë nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet përkatëse për siguri dhe rend, si dhe nga ato ndërkombëtare, që të ndërmarrin të gjitha masat për parandalimin e përkeqësimit të gjendjes, për ndërprerjen e menjëherëshme të punimeve, largimin e të gjitha barrikadave dhe kthimin e gjendjes normale mbi urë dhe në të gjitha rrugët tjera, në mënyrë që të mundësohet lëvizja dhe qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave.Po ashtu, përfaqësuesit e partive politike kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të merr masa ligjore ndaj zyrtarëve të shtetit serb, të cilët po hyjnë ilegalisht në Kosovë dhe me veprimet e tyre antiligjore po e destabilizojnë situatën politike dhe të sigurisë, si dhe t’ua ndalojë atyre hyrjen në republikën e Kosovës.”, thuhet në kumtesë.
Burime të portali Veriu.info bëjnë të ditur, se në këtë takim PDK-në e ka përfaqësuar asambleisti Nexhat Dedia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat