Pishina e Gërmisë e gatshme për sezonin e ardhshëm veror

Kosova

Pishina e Gërmisë e gatshme për sezonin e ardhshëm veror

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 09:33

Prishtinasit sivjet nuk do të kenë mundësi të freskohen në pishinën e Gërmisë, ngase punimet për rregullimin e saj nuk kanë mbaruar. Ato kanë nisur vjet dhe pritet të kryhen edhe 8 javë.


Rron Ethemi, menaxher i projektit në kompaninë “Arda Rei”, e cila po i kryen punimet, ka thënë se aktualisht është kryer një pjesë e punimeve, porse pishina nuk është e gatshme.


“Deri më tani punimet kanë përfunduar në rikonstruktimin e kërcimoreve për fëmijë dhe të rritur, dhe gjithashtu kanë përfunduar punimet në shkallët për rrezitje. Është formuar kanali shtesë në gjatësi prej 90 metrash për pastrimin e ujit, që do të mundësojë pastrimin më cilësor dhe më të shpejtë të ujit të pishinës”, ka bërë të ditur Ethemi. Sipas tij, janë zëvendësuar distribuesit e ujit të pastër nga dyshemeja dhe janë instaluar rrjetat cilësore për pishina publike. “Po ashtu ka përfunduar mbushja dhe zvogëlimi i thellësisë së pishinës dhe nga thellësia 4.50 metra është zvogëluar në 1.80 metra, që korrespondon me standardet për pishinat publike”, ka thënë Ethemi.


Ai ka shtuar se në pjesën e pishinës për fëmijë është duke u shtruar shtresa e re e betonit, si shtesë riparuese. Pishina e cila do të ketë një thellësi më të vogël se atë që e ka pasur, e cila do të jetë brenda standardeve për pishina publike dhe do të ketë kërcimoren për fëmijë. “Kërcimorja e deritanishme është eliminuar, sepse në pishinat publike për not nuk preferohen kërcimoret për shkaqe sigurie për notuesit. Kërcimorja është shndërruar në vend për rrezitje. Shkallët e deritanishme do të zëvendësohen me shkallët nga inoksi, si dhe hidroizolimi do të jetë më cilësor dhe me një ngjyrë te kaltër”, është shprehur Ethemi.


Nga ana tjetër, qytetarët kanë kritikuar Komunën lidhur me këtë çështje.

Sipas drejtorit të Inspektoratit, Xhelal Sveçla, aktualisht kryeqyteti ka vetëm një pishinë private, e cila mbikëqyret nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat