Komuna e Mitrovicës: Ndërpreni punimet, hiqeni barrikadën

Kosova

Komuna e Mitrovicës: Ndërpreni punimet, hiqeni barrikadën

Më: 9 korrik 2014 Në ora: 17:45

Përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës, kanë diskutuar të mërkurën në një takim, situatën politike e të sigurisë në komunë, të krijuar pas provokimit të drejtuesve serb të Komunës së re në veri të Mitrovicës, të cilët në orët e paradites kanë filluar prishjen e udhëkryqit kryesor të rrugëve në cepin verior të lumit Ibër, për të ndërtuar kinse një shëtitore.

Mbledhja vshtë thirur nga kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri

Përfaqësuesit e partive politike PDK, LDK, VV, AKR, AAK dhe PD, vlerësuan njëzëri se ky veprim i drejtuesve serb në veri të qytetit, është një veprim antiligjor i drejtuar kundër paqes dhe sigurisë në këtë pjesë të Republikës së Kosovës dhe ka për qëllim destabilizimin e situatës së përgjithshme dhe përkeqësimin e mëtutjeshëm të raporteve ndëretnike dhe ndërnjerëzore në veriun e vendit.

Ata vlerësuan po ashtu se mosveprimi i duhur dhe me kohë i organeve të rendit dhe sigurisë, i institucioneve qendrore dhe i atyre ndërkombëtare, ka inkurajuar drejtuesit ekstremistë serbë që të vazhdojnë me veprimet e tyre kundërligjore dhe kundërnjerëzore, me të cilat pengojnë lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve, si dhe përmirësimin e raporteve ndëretnike.

Në takim u tha se vendosja e barrikadave nëpër rrugë, e sidomos e asaj mbi urën kryesore mbi lumin Ibër, janë akte qyqare të njerëzve që nuk duan paqe e stabilitet, por duan ngritje tensionesh dhe konflikte me qëllim që të realizojnë synimet e tyre antinjerëzore dhe antiligjore.

Mirëpo, u tha në takim, kulmi i provokimeve ishte ai i sotmi, kur filloi prishja e udhëkryqit kryesor të dy rrugëve që me shekuj kanë ekzistuar dhe kanë mundësuar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, pa marrë parasysh zhvillimet gjatë historisë.

Ata njëzëri konstatuan se zhgënjimi dhe shqetësimi i qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, është jashtëzakonisht i madh dhe kërkesat e tyre janë të qarta, që të veprohet me vendosmëri në kthimin e normalitetit.

Duke pasur mirëkuptim për zhgënjimet dhe shqetësimet e qytetarëve, përfaqësuesit e partive politike, kërkojnë nga ata që të jenë të matur, të vëmendshëm dhe të kenë durim, në mënyrë që me veprimet e tyre eventuale të mos i kontribuojnë përkeqësimit dhe eskalimit të gjendjes.

Në fund, përfaqësuesit e partive politike kërkojnë nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet përkatëse për siguri dhe rend, si dhe nga ato ndërkombëtare, që të ndërmarrin të gjitha masat për parandalimin e përkeqësimit të gjendjes, për ndërprerjen e menjëhershme të punimeve, largimin e të gjitha barrikadave dhe kthimin e gjendjes normale mbi urë dhe në të gjitha rrugët tjera, në mënyrë që të mundësohet lëvizja dhe qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave.

Ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të merr masa ligjore ndaj zyrtarëve të shtetit serb, të cilët po hyjnë ilegalisht në Kosovë dhe me veprimet e tyre antiligjore po e destabilizojnë situatën politike dhe të sigurisë, si dhe t’ua ndalojë atyre hyrjen në Republikën e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat