Bahtiri kërkon intervenimin e institucioneve të vendit

Kosova

Bahtiri kërkon intervenimin e institucioneve të vendit

Më: 9 korrik 2014 Në ora: 13:57

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka reaguar ashpër ndaj provokimit nga ana e drejtueseve të komunës së Mitrovicës së Veriut , duke filluar punimet, për kinse ndërtimin e një shëtitoreje në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër.

Bahtiri e ka dënuar ashpër këtë akti kriminal dhe ka thënë se ky veprim po bëhet me qëllim dhe prapavijë politike, për të bllokuar lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe për të pamundësuar relaksimin e mëtutjeshëm të gjendjes së përgjithshme, për çka qytetarët e të dyja pjesëve të qytetit dhe të të gjitha përkatësive etnike janë jetësisht të interesuar.

“Ndërprerja për qarkullim të automjeteve të rrugës shekullore rajonale, që lidh Mitrovicën dhe rajone të tjera të Republikës së Kosovës, me pjesë tjera të vendit në veri dhe tutje Serbinë, është e papranueshme, sepse një akt i tillë është akt vandal e kriminal dhe i dënueshëm me ligj. Për këtë arsye, kërkoj nga organet kompetente për rend e siguri, si ato vendore, ashtu edhe ato ndërkombëtare, por edhe nga Qeveria e Kosovës, që të ndërmarrin të gjitha masat ligjore menjëherë dhe të ndërpresin punimet që po bëhen për bllokimin e kësaj rruge me rëndësi të veçantë për qytetarët e Mitrovicës, të rajonit dhe të vendit”, ka thënë Bahtiri.
Gjithashtu, Bahtiri ka apeluar tek qytetarët e të dyja pjesëve të qytetit dhe të të gjitha përkatësive etnike, që të jenë të qetë e të matur, të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos ndërmarrin asnjë hap që do të qonte drejt eskalimit të gjendjes, sepse një gjë e tillë nuk do të ishte në interes të askujt.
“Me sjelljet tona të matura, ne duhet tu japim rastin organeve e institucioneve të Republikës së Kosovë dhe atyre ndërkombëtare, që të ndërmarrin të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për ndërprerjen e këtij provokimi dhe për kthimin e rrugës dhe të urës në gjendje normale, nëpër të cilën do të mund të lëviznin dhe qarkullojnë pa problem qytetarët dhe automjetet”, ka thënë Bahtiri.A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat