Kurteshi: Në Kosovë funksionon ligji i të fortit

Kosova

Kurteshi: Në Kosovë funksionon ligji i të fortit

Më: 7 korrik 2014 Në ora: 21:55

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi , ka akuzuar institucionet shtetërore për abuzim me ligjin, pushtetin dhe shtetin. “Ne nuk kemi zbatim të ligjit. Ne kemi ligj të të fortit”, tha Kurteshi. Këto akuza ai i ka bërë në emisionin PULS të KTV-së, ku bashkë me avokatin Skender Musa, folën për shkeljen e të drejtave të njeriut nga institucionet publike në Kosovë.
“Në Kosovë kemi të privilegjuar. Në shumë fusha privilegjohesh pse je i pasur, privilegjohesh pse e ke shpinën e fortë, mandej po vijmë tek gjendja duke e personalizuar dhe i përgjithësuar gjërat, dhe ku askush nuk i beson sistemit gjyqësor. Sot e kam lexuar një deklaratë të një prokurori ku thotë se nuk e dërgoj lëndën në një gjykatë se nuk i besoj. Tash llogarite çfarë deklarate bën prokurori i shtetit. Pastaj kemi mosbesim te qytetarët në institucionet e vendit e sidomos në gjykata”, ka thënë mes tjerash Kurteshi, në emisionin PULS të KTV-së.
Ai më tej ka thënë se “administrata shtetërore më shumë i ngjanë kohës së Gogolit”.
“I keni lexuar veprat e Gogolit? Pra, kemi administratë të kalbur të shtetit. Pastaj si është e mundur që individi kosovar me qenë i pasur ndërsa shteti më i varfër në Evropë. Ose po e vjedhim shtetin të gjithë një nga një ose ka diçka që nuk po funksionon. Ne po e dimë ku është problemi, por s’po guxojmë ta gjejmë problemin”, është shprehur Kurteshi.
I pyetur nga udhëheqësi i emisionit se sa zbatohen ligjet në Kosovë, në bazë të ankesave që pranon Kurteshi si avokat i popullit, ky i fundit ka thënë se në Kosovë nuk ka zbatim të ligjit, por këtu funksionon ligji i të fortit.
“Ne nuk kemi zbatim të ligjit. Ne kemi ligj të të fortit. Ne kemi raste kur thonë se nuk e respektoj ligjin haptas. Kemi parë raste publike. Nuk është e lakmueshme gjendja sa i përket respektimit të ligjit, ka shkelje të ligjit. Tek ne ka nevojë, jo për revolucion, sepse revolucionet kanë treguar se po përcillen me gjak, por për ndryshime paradigmatike. Pra, duhet të bëjmë përpjekje të krijojmë njerëz të edukuar”, është shprehur Avokati i Popullit, Sami Kurteshi.
Kurteshi ka treguar se institucioni që ai drejton ka pranuar 2 mije ankesa për shkelje e të drejtave të njeriut, ndërsa mbi 40%, sipas tij, “janë nga ekzekutivi, pra nga pushteti qendror dhe ai lokal”. “Rreth 30% janë mbi gjyqësorë dhe prokurori. Çështja e avokatit të popullit është e politizuar tash e një dekadë prej momentit kur ndërkombëtarët e kanë lëshuar”, ka thënë Kurteshi.
Ndërsa, avokati Skender Musa, ka thënë se ka shkelje të mëdha të të drejtave të qytetarëve me rastin e suspendimeve të punëtorëve nga puna.
“Të gjitha raportet ndërkombëtare dhe vendore tregojnë se punësimet në Kosovë bëhen me preferenca politike, po ashtu edhe raporti Departamentit Amerikan të Shtetit e thotë. Mbi 90% të kërkesave të qytetarëve që dorëzohen në institucione mbahen në heshtje, e tani qytetarët i drejtohen gjykatës dhe… shkelje mbi shkelje. Zakonisht të drejtat e njeriut shkelen për shkak të arbitrarizmit të organeve shtetërore, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror”, ka thënë Musa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat