Kryetari Bahtiri ka takuar komandantin e Veri JRD-N, Gauchat Patric

Kosova

Kryetari Bahtiri ka takuar komandantin e Veri JRD-N, Gauchat Patric

Më: 7 korrik 2014 Në ora: 17:52

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka pritur komandantin e deritashëm të Detashmentit të Përbashkët Rajonal-Veri JRD-N), të KFOR-it, kolonelin Gauchat Patric dhe komandantin e ri të JRD-N, kolonelin Steiner Christian, me të cilët ka biseduar për gjendjen e përgjithshme ët sigurisë dhe bashkëpunimin e ndërsjellë.

Kryetari Bahtiri, fillimisht ka falënderuar kolonelin Gauchat Patric, komandant i deritashëm i JRD-N, i cili është emëruar në një mision tjetër të Zvicrës pranë OKB në Nju Jork, për punën e deritashme që ka bërë, kontributin e madh që ka dhënë për paqe e siguri dhe për bashkëpunimin e mirë të ndërsjellë.

Kryetari Bahtiri, i ka thënë kolonelit Gauchat Patric, se qytetarët e Mitrovicë janë të kënaqur me punën dhe misionin e KFOR-it, gjë që është reflektuar në gjendjen relative të kënaqshme të sigurisë dhe në ruajtjen e paqes së arritur deri tash.

“KFOR-i dhe ju personalisht që kur unë jam në krye të Komunës së Mitrovicës, keni kryer ashtu si duhet misionin tuaj fisnik dhe falë jush ne kemi pas një situatë më të relaksuar dhe pa probleme të mëdha ndëretnike. Unë ju dëshiroj sukses në misionin tuaj të ri”, i ka thënë kryetari Bahtiri komandantit që po shkon të JRD-N, Gauchat Patric.

Ndërsa komandantit të ri të JRD-N, kolonelit Steiner Christian, kryetari Bahtiri i ka thënë se të bashkëpunoj edhe më shumë, në mënyrë që misioni i tij të ketë sukses, sepse kjo është në të mirën e të gjithë qytetarëve të Mitrovicës e rajonit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

Koloneli Gauchat Patric, falënderoj kryetarin Bahtiri për bashkëpunimin e mirë që kanë pas dhe për gatishmërinë për të biseduar për të gjitha çështjet në mënyrë të hapur e të sinqertë. “Me ardhjen tuaj në krye të komunës, është shtuar dinamika e bashkëpunimit të ndërsjellë. Ju jeni energjik dhe keni ide të reja për zhvillimin e ekonomik të qytetit. Ky rajon është shumë dinamik dhe ka ardhmëri”, tha koloneli Gauchat Patric.

Ndërsa komandanti i porsaemëruar i JRD-N, Steiner Christian, tha se me padurim pret që të filloj bashkëpunimin me kryetarin Bahtiri dhe qytetarët e Mitrovicës. “Kam qenë këtu edhe më parë dhe tash kur jam kthyer po vërej përparime, të cilat uroj të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat