Organizohet peticioni për drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara

Kosova

Organizohet peticioni për drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara

Më: 7 korrik 2014 Në ora: 16:16

Është mbajtur sot takimi i forumit mbështetës për organizimin e peticionit “Kërkojmë Drejtësi Ndërkombëtare për Gratë e Dhunuara gjatë Luftës së fundit në Kosovë.” Me këtë rast, zëvendëskryeministrja në largim, Edita Tahiri ka përshëndetur gatishmërinë e pjesëmarrësve të këtij Forumi për të mbështetur peticionin për drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë.
Me këtë rast, Tahiri edhe njëherë ka bërë të ditur kërkesat e këtij peticioni përballë Organizatës së Kombeve të Bashkuara,

“Kërkesa e parë është që kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë. E dyta- i bëjmë thirrje sekretarit të përgjithshëm të OKB-së që të fillojë hetimet për dhunimet e grave gjatë luftës në Kosovë dhe të nxjerrë një raport mbi këtë çështje sa më shpejt që të jetë e mundur. E treta, kërkojmë që të gjithë përgjegjësit, kryesit e autorët për politikat dhe veprimet e këtij krimi gjenocidal kundër njerëzimit, të sillen para drejtësisë ndërkombëtare dhe të ndëshkohen. Dhe e katërta, kërkojmë themelimin e mekanizmave ndërkombëtar të drejtësisë , në mënyrë më të besueshme dhe më të efektshme, në mënyrë që të sigurohet një drejtësi e paanshme dhe e drejtë për gratë e Kosovës të dhunuara gjatë luftës” ka thwnw Tahiri.

Gjatë takimit, forumi mbështetës ka marrë mbështetje edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

“Edhe si Qeveri, edhe si Asociacion i Komunave, do të jemi me të gjitha kapacitetet në përkrahje të zyrave komunale për barazi gjinore, për të drejtat e njeriut. Sot kemi komunikuar edhe me kryetarët e komunave, dhe kemi marrë mbështetjen e një pjese të madhe të tyre, dhe besoj se gjatë ditëve në vijim do të jemi në gjendje që të sigurojmë mbështetjen logjistike që ky peticion të jetë sa më masiv, sa më njerëz të nënshkruhen” ka thënë Besnik Osmani, sekretar i përgjithshëm i MAPL-së.

Mbështetje të tillë ka premtuar edhe kryeshefe ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edona Hajrullahu e cila ka bërë thirrje tek opinioni i gjerë që të dal e të nënshkruaj peticionin.
Profesori Pajazit Nushi bartës i projektit për të dhunuarit seksualisht gjatë luftës ‘98-99 në kuadër të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, ka thënë se dhunimet kanë një historik të gjatë, qysh nga vitet 1992, kur ka pasur raportime për dhunime nga pjesëtarët e njësive të rregullta të ushtrisë së ish Armatës Jugosllave si dhe Policisë së Serbisë të asaj kohe.

“Ne në Institut merremi vetëm me dëshmitë burimore. Se është iniciativë që duhet të përkrahet, mendoj se qytetarët tanë nuk duhet të dyshojnë fare. Edhe si individ i këtij mjedisi, edhe si përfaqësues i një institucioni të dikurshëm e të tashëm, unë e përkrahi këtë iniciativë, dhe besoj se do të gjejë përkrahje edhe tek popullsia jonë” ka theksuar Nushi.

Veprore Shehu, anëtare e Bordit të Grave nga Shoqata Medica, ndër tjerash theksoi se nuk krijohet qetësia e rrejshme në shoqërinë tonë duke mbajtur të mbyllur këtë çështje, por duhet të mbështesin gratë tonë viktima, duke siguruar njohje ndërkombëtare institucionale që ne vendin tonë kanë ndodhur ky krim gjenocidal.

Peticioni, i cili do të nënshkruhet në të gjitha qytetet e Kosovës, do të zgjas pesë ditë, ndërsa për datën e realizimit të tij do të vendoset nga vetë Bordi në takime tjera.

Më pas në një konferencë për media pas takimit, Tahiri ka thënë se momenti i inicimit të peticionit është i duhuri, sidomos me angazhimeve globale për të mbrojtur viktimat e dhunimi të grave gjatë luftërave, për të ndëshkuar bërësit e këtij krimi gjenocidal si dhe të ndaljes me ligj ndërkombëtar të kësaj dukuria antihumane dhe gjenocidale, në veçanti të iniciuar nga sekretarit të jashtëm britanik WilliamHague dhe aktores Angelina Jolie.

“Sot ka një angazhim global, udhëhiqet nga sekretari i jashtëm britanik z. Hague dhe zonja AngelineJolie, si një kampanjë botërore për të mbështetur Rezolutat e OKB-së për çështjet e dhunimit gjatë luftës, dhe thirrje botërore që të ndalet dhunimi i grave si instrument i luftës. Pra, është një zhvillim shumë pozitiv. Unë besoj se edhe ne do të përfitojmë në kuadër të këtij zhvillimi, sepse duke bërë një peticion dhe duke e paraqitur në OKB, do të mund të lëvizim mekanizmat ndërkombëtar” ka theksuar Tahiri. A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat