Gjermania presion Beogradit për vazhdim të dialogut me Kosovën

Kosova

Gjermania presion Beogradit për vazhdim të dialogut me Kosovën

Më: 4 korrik 2014 Në ora: 23:37

Andreas Schockenhoff, Hans Joachim Falenski dhe Johann Wadephul, deputetë në Bundestag, të partisë së kancelares Angela Merkel, CDU, më 10 korrik do të shkojnë në Beograd për një vizitë dy ditore, raporton gazeta serbe “Danas” duke iu referuar burimeve të saj diplomatike në Berlin.

Sipas këtyre burimeve zyrtarët e lartë gjerman, në takimet që do t’i kenë me zyrtarët serb, do të kërkojnë vazhdimin e dialogut me Prishtinën.

Ky burim ka thënë se deputetët gjerman do të kërkojnë nga Serbia implementimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit dhe një dinamikë të re dialogun e ardhshëm i cili është ndërprerë për shkak të zgjedhjeve në Serbi, Bashkim Evropian dhe Kosovë, transmeton Lajmi.net.

Andreas Schockenhoff, një zyrtar i lartë i CDU’së, është i njohur për sjelljen në Serbi të shtatë pikave të famshme, të cilat duhet t’i plotësojë Serbia, gjatë rrugëtimit të saj për anëtarësim në BE.

Një pikë e kësaj liste përfshinte edhe nënshkrimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve me Kosovën, e cila do të duhet të jetë e zbatuar deri në fund të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Në anën tjetër, në Kosovë situata politike pas zgjedhjeve të 8 qershorit, duket të jetë futur në një qorrsokak.

Edhe pse zgjedhjet kanë nxjerrë fitues Partinë Demokratike të Hashim Thaçit, partitë opozitare janë bashkuar në një koalicion paszgjedhor.

LDK-AAK-Nisma, po provojnë të marrin edhe përkrahjen e Vetëvendosjes, por kjo e fundit mbështetjen e saj po e kushtëzon me ndërprerje të negociatave të formatit aktual me Serbinë, si dhe mos implementimin e marrëveshjes së 19 prillit 2013, të nënshkruar në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat