Matoshi : AKR-ja mund të rikthehet fuqishëm në skenën politike

Kosova

Matoshi : AKR-ja mund të rikthehet fuqishëm në skenën politike

Më: 4 korrik 2014 Në ora: 10:06

AKR mund të rikthehet sërish në skenën politike Kosovare dhe për këtë po presim që Presidenti Pacolli të filloj riformatimin e strukturës udhëheqëse të partisë në nivel qendror e cila është përgjegjëse për këtë rezultat jo të mirë që patëm me 8 qershor thotë për rajonipress Fatmir Matoshi.

Fatmir Matoshi thotë se AKR në Kamenicë përkundër rezultatit jo të mirë në nivel vendi, ka arritur që krahasuar me zgjedhjet nacionale të vitit 2010 të ketë një ngritje prej 600 votash, duke qenë dega e dytë me rezultat më të mirë në nivel të Kosovës dhe ka dëshmuar që është një parti stabile me elektorat të qëndrueshëm në Kamenicë. “Struktura e degës është shumë kompakte dhe ne besojmë fuqishëm se AKR mund të rikthehet sërish në skenën politike Kosovare dhe për këtë po presim që Presidenti Pacolli të filloj riformatimin e strukturës udhëheqëse të partisë në nivel qendror e cila është përgjegjëse për këtë rezultat jo të mirë që patëm me 8 qershor” tha Matoshi, raporton rajonipress.

Sipas tij AKR ka nevojë për degë të fuqishme me lider lokal të fuqishëm, njerëz kredibil të cilët njohin problemet e bashkëqytetarëve dhe kanë vizion për të zgjidhur ato. “Pres që degët të fuqizohen sa më parë dhe interferimi i njerëzve të rendit të dytë e të tretë nga qendra në to të ndërpritet në mënyrë që ne të rikthejmë elektoratin tonë dhe ta shtojmë atë” pohoj Matoshi.

Matoshi duke folur për rolin dhe kontributin e AKR-së në qeverisjen lokale në Kamenicë tha se që nga konstituimi i Kuvendit Komunal dhe ekzekutivit AKR ka dhënë një kontribut të çmueshëm në të gjitha proceset pozitive që kanë ndodhur në Kamenicë. “AKR është përfaqësuar në Komitetin për Politikë e Financa, ka dy përfaqësues në Komitetin për Komunitete si dhe në bazë të vendimit të Kuvendit Komunal udhëheq edhe një komision mjaft të rëndësishëm që është Komisioni për zbatimin e procedurave për dhënien me qera, në shfrytëzim dhe këmbimin e pronave dhe palujtshmërive tjera komunale”.

Sipas Matoshit, AKR ka një grup prej pesë këshilltarësh komunal të cilët kanë funksionuar jashtëzakonisht mirë deri më tani dhe kanë dhënë një kontribut të madh në të gjitha seancat e Kuvendit Komunal. “Në pjesën ekzekutive të Komunës AKR përfaqësohet me nënkryetarin e komunës, përmes së cilës pozitë kemi dhënë kontributin tonë sidomos në bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare dhe e kemi ndihmuar kryetarin e Komunës në organizmin sa më efikas të drejtorive komunale. AKR udhëheq katër drejtori të cilat kanë funksionuar mjaft mirë në këtë gjashtë mujor dhe secila prej tyre përveç që ka realizuar synimet e veta ka arritur të shkurtoj shpenzimet për komunikim, reprezentacion, mëditje dhe mallra e shërbime të tjera në masën e rreth 50%”.

Komuna në këtë gjashtë mujor ka ofruar shërbime shumë të shpejta dhe efikase në sektorin e ofiqarisë i cili bie në kompetencën e Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme që udhëhiqet nga AKR-ja. Po ashtu me shumë sukses e kemi menaxhuar situatën gjatë vërshimeve të këtij viti dhe drejtori i Mbrojtjes dhe Shpëtimit ka qenë aktiv së bashku me stafin e tij gjatë tërë kohës. “Jemi në fazën e përcaktimit të kompetencave të Drejtorisë së Ekonomisë, Zhvillimit dhe Diasporës e cila është një drejtori e re e themeluar dhe e cila ka vënë kontaktet e para me investitorë të rëndësishëm e serioz për Kamenicën, sidomos në sferën e energjisë së ripërtritshme. Po ashtu drejtori i Ekonomisë është caktuar nga kryetari Sinani bartës i projektit të pendës së Kremenatës dhe ka mbajtur disa takime me MMPH-në nga të cilat takime në strategjinë e ujerave të Kosovës janë tanimë tri penda në territorin e Kamenicës”.

Matoshi tha se Drejtoresha e Shëndetësisë ka kryer aktivitete të shumta e sidomos vlen të përmenden raportet e mira të krijuara me Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa ka ende shumë punë për të bërë në organizmin e mirë të shëndetësisë primare për të arritur rezultatet e pritura në këtë sektor. “Funksionimi më i mirë i QKMF-së dhe organizimi më i mirë i punës në ambulantat e fshatrave mbeten sfidë për këtë drejtori ashtu sikurse edhe funksionalizimi i plotë i QMF-së në Roganë e cila duhet të punoj 24 orë në ditë për t`u ofruar shërbime më të mira banorëve të asaj pjese”.

AKR në Kamenicë ka realizuar pjesën politike të marrëveshjes me PDK-në dhe ka një bashkëpunim shumë korrekt me Kryetarin Sinani. “Në pjesën e parë të këtij viti ne kemi filluar implementimin e një pjese të programit tonë përsa i përket infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik të komunës, por kemi vështirësi për shkak se e kemi trashëguar një buxhet të aprovuar nga legjislativi i kaluar dhe deri në këtë fazë e kemi implementuar si të tillë ndërsa planifikimet për vitin 2015 do të bëhen bashkërisht me PDK dhe kjo do të na krijojë mundësi më të mira të realizimit të projekteve të parapara nga AKR-ja”.

Po ashtu një bashkëpunim i mirë është edhe me drejtorët e caktuar nga AAK në Kamenicë. Mendoj se pjesa e fundit e këtij viti është kohë e përshtatshme edhe për ne, por edhe për Kryetarin Sinani që të analizojmë punën e ekzekutivit në përgjithësi dhe të drejtorive veç e veç në veçanti dhe eventualisht të kemi ndonjë ndryshim për të përmirësuar edhe më tepër shërbimet komunale dhe efikasitetin në punë. Janë tashmë disa drejtori në të cilat vërehet se mund të ketë nevojë për ndonjë ndryshim ka thënë Matoshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat