Komandant (COBRA): Politika paqësore e Rugovës, e arsyetoi shfaqjen e rezistencës së armatosur

Kosova

Komandant (COBRA): Politika paqësore e Rugovës, e arsyetoi shfaqjen e rezistencës së armatosur

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 27 prill 2014 Në ora: 10:55

Bashkëluftëtari i Sali Çekajt, komandanti Naser Vllasi (COBRA), në një prononcim për Gazetën “Bota sot”, tregon shumë çka rreth organizimit të Betejës së Kosovës, si dhe për Sali Çekun ku ai e quan si komandantin e parë në drejtimin Luftarak 777, Rrasa e Zogut, që të gjitha koordinimet i kishin bërë së bashku.

“I tërë populli ynë, atëherë u ngrit në këmbë që në mënyrë paqësore t‘i mbrojë të drejtat e veta për të vendosur për fatin e Kosovës sonë. Përgjigjja e Beogradit ishte brutale dhe e dhunshme. Me dhunë policore e ushtarake u vendos në Kosovë një regjim okupues. Shumë prej nesh u bindëm se, rezistenca e armatosur kundër okupatorit ishte e pashmangshme”, thotë Vllasi.

Ai thekson se, me gjithë atë një rezistencë paqësore me mjete politike dhe me popullin e bashkuar rreth idesë çlirimtare, ishte edhe më tej e nevojshme, pasi që populli ishte lodhur nga persekutimi më brutal që bënte mbi ta regjimi i dhunshëm i Serbisë. “Rezistenca e armatosur donte përgatitje të mirëfillta, sepse ne nuk mund ta arrinim nivelin luftarak me shpejtësi!”

Sipas Vllasit, në këso rrethanash politika e Ibrahim Rugovës për një rezistencë paqësore me kërkesa të qarta për pavarësinë e Kosovës si qëllim të fundit, nuk ishte i kotë.

“Me një politikë të tillë Ibrahim Rugova blente kohë dhe fuqishëm e tërhoqi vëmendjen e qendrave perëndimore duke e kuptuar diskriminimin e skajshëm dhe dhunën policore që e ushtronte kasapi i Ballkanit Millosheviqi i Çmendur. Politika paqësore e Rugovës, po ashtu e arsyetoi shfaqjen e rezistencës sonë të armatosur, sepse bota u bind se nuk kishim rrugëdalje tjetër. Kjo ishte kryesore edhe për përkrahjen e armatosur, përmes sulmeve ajrore të NATO-s në pranverë të vitit 1999. Njëkohësisht, bëheshin dhe përgatitjet intensive për rezistencë të armatosur”, potencon ai.

Vllasi pohon se përbrenda Qeverisë së Republikës së Kosovës që vepronte në egzil, e vendosur në Gjermani, ishte formuar Ministria e Mbrojtjes. Kjo e formoi formacionin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), nën udhëheqjen e ministrit të mbrojtjes Kolonel Ahmet Krasniqi, një njeri profesionist dhe me përvojë të luftës, nga lufta e Kroacisë kundër të njëjtit armik.

“Në terren, përbrenda Kosovës ishin të angazhuar patriotë dhe njerëz të guximshëm e të vendosur për idenë çlirimtare: Sali Çeku e Agim Ramadani”.

“Bëheshin përgatitje edhe në binarin tjetër, që ishte UÇK-ja. Nuk do mend se sa mirë do të ishte një forcë, një luftë, me një komandë unike e çlirimtare, me angazhim unik të të gjitha resurseve për një luftë të përbashkët. Mjerisht, nuk u arritur një unitet të duhur, që forcën tonë ta bënte edhe më të madhe dhe luftën më të lehtë”, thotë komandanti, duke shtuar se “por për ne lufta dhe për mua konkretisht nuk ishte kjo luftë e FARK-ut apo e UÇK-së. Për neve dhe për mua kjo ishte, Luftë për çlirimin e Kosovës, do të thotë lufta çlirimtare e Kosovës. Kush në cilin formacion ishte i rreshtuar, në cilën pjesë luftonte, për ne luftëtarët nuk kishte rëndësi”.

Ai pohon se, rezistenca e armatosur dhe lufta çlirimtare u shtri në të gjitha pjesët e Kosovës.
“Por, për përparësinë psikologjike dhe për ta kuptuar okupatori lufta jonë nuk ishte punë amatore e grupeve të rebeluara, pra bëhej një luftë e rëndësishme, e bazuar në një strategji për të na sjellë fitoren, ndaj agresorit më mizor!

“Pikërisht e tillë ishte Beteja e Koshares. Nga aspekti strategjik ishte e rëndësishme, sepse hapej një shteg i rëndësishëm për furnizim me armatim nga Shqipëria. Nga aspekti psikologjik dhe morali ushtarak ishte e rëndësishme, sepse për herë të parë prej se ishte vendosur në vitin 1913 me vendimet e Konferencës së Londrës, u thye kufiri Shqiptaro-Shqiptar dhe të dyja anët i kontrollonim ne shqiptarët. Nga aspekti i moralit ushtarak e po ashtu dhe psikologjik, Beteja e Koshares ishte e rëndësishme edhe në raport me armikun. Komanda e forcave armike e kuptoi, se lufta e shqiptareve nuk qenka për t‘u nënçmuar. Ata (ne shqiptarët) qenkan në gjendje, që krahas luftës guerile të bënin edhe luftë ballësore”, thotë komandant Vllasi.

Ai thotë se, prej Betejës së Koshares, lufta çlirimtare e Kosovës, me përkrahjen aktive të NATO-së nga ajri, faktikisht kaloi në luftë ofanzive dhe jo e pozicionuar vetëm në mbrojtjen të territoreve të caktuara dhe të popullsisë.

“Rënia e Agim Ramadanit në këtë betejë, po ashtu dhe e Salih Çekut ishte një humbje e madhe, por njëkohësisht dhe një motiv që të vazhdojmë luftën që kishim nisur, deri në çlirimin e plotë të vendit tonë”, potencoi komandanti Naser Vllasi (COBRA).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat