Krasniqi flet pasi që kryhet puna: Të dorëhiqen Thaçi e Kuçi

Kosova

Krasniqi flet pasi që kryhet puna: Të dorëhiqen Thaçi e Kuçi

Më: 24 prill 2014 Në ora: 23:12

Kryeparlametari Jakup Krasniqi, ka dhënë një përmbledhje të një bisede të zhvilluar në Rezidencën e Ambasadorit gjerman, ku thotë të ketë qenë edhe një diplomat i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, ish ambasadori i ngarkuar për rajonin tonë.

“Në atë takim nga LDK-ja ishte Ismet Beqiri, nga AAK-ja Burim Ramadani, nga SLS-ja Petar Miletiq, përfaqësuesit e PDK-së erdhën me vonesë”, ka shkruar ai në Facebook.
Njëra nga kërkesat e Krasniqit, e që bëhen publike vetëm pasi që Kuvendi miratoj themelimin e Gjykatës Speciale, ishte edhe kjo: “Për arsyet e cekura Kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë të japin dorëheqje të pa revokueshme për të gjitha dështimet, pasi ata mbajnë përgjegjësinë kryesore për mos besueshmërinë në Sistemin e Drejtësisë të Kosovës”.
Krasniqi gjatë votimit abstenoi, derisa publikisht nuk tha asgjë nga këto kërkesa.
Biseda kishte të bënte me formimin e Gjykatës Speciale. Ja kërkesat e Krasniqit:

1. Të konfirmohet nga EULEX-i dhe Qeveria dështimi i Sistemit të Drejtësisë në Kosovë.
2. Kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë ta pranojnë publikisht se janë përgjegjësit kryesor për dështimin e tërësishëm të Sistemit të Drejtësisë (Prokurorisë, Gjyqësorit dhe Drejtorisë së Burgjeve).
3. Për arsyet e cekura Kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë të japin dorëheqje të pa revokueshme për të gjitha dështimet, pasi ata mbajnë përgjegjësinë kryesore për mos besueshmërinë në Sistemin e Drejtësisë të Kosovës.
4. Të krijohet Gjykata Speciale për t’i dënuar të gjitha krimet e kryera gjatë luftës e pas luftës në Kosovë pa i përjashtuar edhe krimet e Serbisë të kryera në Kosovë gjatë e pas luftës.
5. Personave që mund të shpallën të pafajshëm, shteti të obligohet t’i dëmshpërblej për të gjitha pasojat që u shkaktohen.
6. Shpenzimet e mbrojtjes për të gjithë të akuzuarit për periudhën e luftës deri me 22 qershor 1999, le të sigurohen nga buxheti i shtetit.
7. Familjarëve t’ju garantohet shpenzimet e udhëtimit për vizitat e të burgosurit jashtë vendit, pasi qytetarët nuk janë fajtor për mos funksionimin e Sistemit të Drejtësisë.

“I thash këto edhe pse unë për vete e kam vështirë të bindëm, pse një kërkesë e tillë nuk i është bërë Serbisë e cila ishte e është përgjegjësia kryesore e krimeve të luftës e të pas luftës, jo vetëm në Kosovë dhe se askund në rajonin tonë nuk ka krime më të pa ndëshkuara sesa në Serbi?! Nëse kjo në Kosovë po bëhet për shkak të besueshmërisë që duhet të këtë kjo Gjykatë, pse një e tillë nuk po formohet edhe për Serbinë?!”, ka thënë Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat