Pacolli: EULEX të fokusohet në luftimin e krimeve ekonomike

Kosova

Pacolli: EULEX të fokusohet në luftimin e krimeve ekonomike

Më: 24 prill 2014 Në ora: 21:54

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka propozuar një strategji gjithë shoqërore kundër korrupsionit, duke konsideruar kështu se pas themelimit të Gjykatës Speciale, është EULEX-i ai i cili duhet të fokusohet dhe të e ndihmojë Kosovën në luftimin e krimeve ekonomike.

“Askush nuk e mohon se nuk ka pajtim dhe nuk ka qetësi pa u zbardhur dhe pa u vendosur drejtësia në secilin krim të luftës, mirëpo asnjë vendi, dhe as Kosovës nuk i lejohet që duke u marrë me të kaluarën ta harrojë të tashmen. Nuk bënë sepse kështu po humbet e ardhmja. Misioni i EULEX-it duhet të vazhdoj strukturimin ashtu siç është paraparë nga ekspertët duke e krijuar një ekip të tërë prokurorësh që do të merren ekskluzivisht me krimin e organizuar dhe korrupsionin”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Sipas Pacollit, asnjëherë më shumë se tani, nuk ka pasur nevojë që liderët e partive politike, përfaqësuesit e shoqërisë civile, përfaqësuesit e medias dhe përfaqësuesit e tjerë relevant, sipas tij të mblidhen rreth një platforme të përbashkët kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke shtuar kështu se krimi nuk kanë qenë e as nu k është traditë e shoqërisë së Kosovës.

Pacolli ka thënë se prokurorët e EULEX-it duhet të lirohen nga presioni publik, duke thënë se secili zyrtarë publik duhet të zotohet, që sipas tij nëse është në hetime, të largohet nga funksioni të cilin e ushtron.

“Askush, nuk ia mohon askujt të drejtën e dëshmimit të pafajësisë, por kjo përballje duhet të bëhet individualisht pa bartur asnjë peshë institucionale”, ka shkruar Pacolli.

E sipas tij, vetëm kështu, krijohet kultura e ndëshkimit të së keqes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat