Përkujtohen dëshmorët e Karadakut

Kosova

Përkujtohen dëshmorët e Karadakut

Më: 24 prill 2014 Në ora: 20:05

Sot është mbajtur akademia përkujtimore kushtuar të rënëve në Zonën Operative të Karadakut, për ta nderuar dhe për t’u zotuar për punë para sakrificës së madhe të dëshmorëve dhe martirëve të rënë nga kjo anë por edhe organizimin politik dhe ushtarak të ZOK-ut.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se kujtimi për dëshmorët është në çdo muaj të vitit, duke nisur nga janari i përgjakshëm dhe duke vazhduar më tutje gjatë muajve të tjerë.

“Kjo zonë ka përjetuar një luftë shumë të ashpër. Ne do t’i përkujtojmë përherë dhe do ti nderojmë poashtu në vazhdimësi dëshmorët dhe martirët deri në përulje. Ata sakrifikuan jetën për lirinë tonë. Amaneti dhe rruga e tyre ende nuk ka përfunduar, sepse bashkëluftëtarët e tyre edhe sot ende po marrin ftesa për tu përballur me drejtësinë edhe përkundër që lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare. Bashkërisht si Komunë kemi marr vendimin për rregullimin dhe përfundimin e projektit të memorialit të dëshmorëve. Familje të dëshmorëve dhe martirëve, mbahuni të fortë dhe krenar sepse ju keni dhënë bijtë tuaj më të devotshëm që Gjilanin, Kosovën dhe gjit hë hapësirën shqiptare e kanë bërë krenar më veprimin e tyre në flijim për atdhe. Ne përulemi përherë para veprës së tyre madhore të cilët vunë themelet e shtetit të Kosovës”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri.

Ndërsa ish Komandanti i Zonës Operative të Karadakut, njëherit deputet i Kuvendit të Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë se i përket gjeneratës që përmbylli një pjesë të madhe të idealit, amanetit dhe angazhimit për të cilin ishin flijuar breza të tërë që nga Idriz Seferi, Mulla Idriz Gjilani dhe shumë të tjerë.

“Ndjehem krenar që bashkë me shumë luftëtar, jemi gjenerata e çlirimit të vendit dhe organizimit ushtarak. Dëshmorët dhe martirët e rënë nga ZOK, janë dhe mbeten themeli i lirisë së sotme. Angazhimet tona të përbashkëta ishin frymëzim i rënies së shumë brezave para nesh. Ne duke bashkuar idealin dhe nacionalizmi dhe duke vepruar të koordinuar mirë edhe me rezistencën ushtara ke dhe me ndihmën e madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Aleancës së NATO-s, kemi arritur që ta çlirojmë vendin. Tani na mbetet të vazhdojmë me punë për ta ndërtuar shtetin dhe për të krijuar kushtet më të mira për jetë. Të pavdekshëm do të mbeten përherë dëshmorët dhe martirët sepse ata ranë krenar duke i sjellë vendit lirinë që të gjithë sot po e gëzojmë”, ka thënë Isufi duke kujtuar komandantin e parë Abdullah Tahirin, i cili kishte ftuar të gjithë subjektet politike për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së dhe çlirimit të vendit.

Kurse në emër të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Ahmet Daku, ka falënderuar të gjithë për organizime të tilla në kujtim të veprave të dëshmorëve. Ai ka kërkuar po ashtu që institucionet komunale të themelojnë një komision për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga regjimi serb gjatë luftës së vitit ’98 dhe ’99.

Ndryshe, Akademi kushtua r të rënëve në Zonën Operative të Karadakut, është organizuar përmes Komunës së Gjilanit, respektivisht, Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Shoqatave të Dala nga Lufta e UÇK-së dhe Këshillit të Malësisë së Zhegocit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat