Vendimi për Gjykatën speciale, ndesh me Kushtetutën (?)

Kosova

Vendimi për Gjykatën speciale, ndesh me Kushtetutën (?)

Më: 24 prill 2014 Në ora: 16:48

Me vendimin, i cili mundëson themelimin e Gjykatës speciale për krime lufte, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë marrë mbi supe një barrë dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike - kushtetuese.
Themelimi i kësaj gjykate është miratuar përmes votimit të Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të bazuar në shkëmbimin e letrave ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga,dhe përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian,Catherine Ashton,
Eksperti i çështjeve juridike - kushtetuese, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se ligji është miratuar mbi një marrëveshje, e cila nuk ka bazë kushtetuese dhe kjo do të ketë pasoja të paparashikueshme në të ardhmen, qoftë në aspektin politik , qoftë atë zhvillimor të Kosovës.
Sipas tij, arritja e këtij ligji deri në Kuvendin e Kosovës për miratim, si dhe miratimi i ligjit, është pasojë e shumë faktorëve të ndërlikuar, të jashtëm dhe të brendshëm.
“Kombinatorikat dhe qëndrimet e caktuara - paragjykimet madje - ndaj Kosovës, ky është faktori i jashtëm dhe njëri prej faktorëve. Por, faktori i brendshëm, padyshim që nuk mund të kapërcehet pa një përgjegjësi të merituar".
"Po të kishin vepruar drejt, po të kishin qenë këmbëngulës, të kishin punuar më tepër dhe të mos kishin miratuar çdo gjë që u sugjerohet – edhe kjo tashmë u pranua publikisht para deputetëve se është diçka që po na imponohet dhe po na sugjerohet... Një shtet i tillë dhe një udhëheqje e tillë nuk është e përgjegjshme në qoftë se pranon se dirigjohet nga jashtë dhe nuk bën politika të pavarura dhe nuk e ushtron sovranitetin”, konsideron Baraliu.
Edhe eksperti tjetër i çështjeve juridike - kushtetuese, Riza Smaka, po ashtu, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Gjykata speciale për krime lufte nuk ka konotacion të mirë për Kosovën, e sidomos për procesin, nëpër të cilin po kalon vendi.
“Me një anë na godet fusnota famoze dhe tash, gjykatë speciale për Kosovën, që apriori hap dyshime të mëdha, se në Kosovë pati krime. Kjo është pasojë, kryesisht, e joefikasitetit të ekzekutivit dhe të gjyqësorit. Shumë vrasje kanë ndodhur e nuk janë zbuluar dot, nuk janë proceduar dot, E tash, lehtë del se ‘ju nuk keni gjyqësor’ ”, thotë Smaka.
Por, si shihet në aspektin e të drejtës kushtetuese miratimi i ligjit që mundëson themelimin e Gjykatës speciale për krime lufte?
Profesor Baraliu shpreh mendimin se çështja është e komplikuar dhe i vë nën pikëpyetje edhe veprimin e deputetëve, por edhe të presidentes së vendit. Sipas tij, ratifikimi në Kuvend, i marrëveshjes nuk është kundër-kushtetues, për faktin që, sipas tij, kuvendi ka të drejtë të ratifikojë marrëveshje ndërkombëtare.
Por, siç thotë ai, pikëpyetja vihet në atë se a është kjo marrëveshje ndërkombëtare.
“Kjo nuk ishte marrëveshje (ndërkombëtare), ju lutem! Kjo ishte një korrespondencë e thjeshtë, e imponuar. I gjithë ai tekst ishte i shkruar në Bruksel. Nuk ishte nga presidentja jonë. Por, sidoqoftë, ajo gjithsesi është korrespondencë e zakonshme zyrtare ose formale, jozyrtare".
"Nuk është e nivelit të njëjtë, sepse është një presidente e shtetit dhe është një përfaqësuese e politikës së jashtme e sektorit të politikës së jashtme të një organizate regjionale. Dhe, ajo të shndërrohet në dokument politik dhe juridik, është antikushtetuese. Baza, mbi të cilën e ka krijuar atë korrespondencë dhe e ka ftuar presidentja, nuk ka bazë në ato nene, në të cilat thirret”, vlerëson Baraliu.
Profesor Baraliu shton se edhe Kuvendi i Kosovës, në një mënyrë ka bërë shkelje, për faktin se, sipas tij, nuk ka ratifikuar një marrëveshje, e cila duhet t’i ketë tiparet e marrëveshjes ndërkombëtare.
Mendim të ngjashëm ka edhe profesor Smaka. Sipas tij, mënyra se si është arritur deri te miratimi i vendimit për themelimin e Gjykatës speciale, e cenon Kushtetutën e vendit.
“Apriori e prek Kushtetutën, sepse kjo nuk shkon asisoj fare. Tash, ta zëmë, është fjala për një raport. Raporti nuk është kurrfarë dokumenti. Ai është një lloj para-dokumenti, sepse raporti duhet të diskutohet dhe miratohet. Gjithnjë, thirrja dhe apelimi është në raportin e Dick Marty-t. Më pastaj, pason njëfarë korrespondence dhe më pastaj, qeveria me turr e vrap e imponon miratimin e vendimit për themelimin e Gjykatës speciale për Kosovën. Nuk është në harmoni. Do të thotë, ajo (Kushtetuta) shkelet. Por, nuk është hera e parë që Kushtetuta shkelet në vendin tonë”, vlerëson Smaka.

Ndryshe, edhe vetë kreu i Ekzekutivit të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fjalimit të tij para Kuvendit, ka vlerësuar se kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për themelimin e Gjykatës për krime lufte, është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që i bëhet Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat