Hyseni: Thaçi me sjellje dyfytyrëshe

Kosova

Hyseni: Thaçi me sjellje dyfytyrëshe

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 24 prill 2014 Në ora: 10:33

Formimi i Gjykatës Speciale, ose siç e quanim më parë Tribunalit për Kosovën, në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës të 23 prillit 2014, mori bekimin e deputetëve.

Kjo është një marrëveshje ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ku sipas kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit, është bërë me imponim jo të ndershëm dhe jo të drejtë nga bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht Amerika dhe BE-ja.

“Tani institucionet e Kosovës janë të ballafaquara me një imponim krejtësisht jo të ndershëm dhe jo të drejtë nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.

Analisti politik, Nehat Hyseni, për Gazetën “Bota sot”, thotë se këtu bien në sy një sjellje dualiste e Kryeministrit Thaçi, meqë ai tërë kohën bënte apel dhe lobonte fuqishëm për miratimin e këtij vendimi të dhimbshëm, sidomos për bashkëpartiakët e tij, kurse, për befasinë e të gjithëve, ai këtë filloi ta quaj si "imponim të padrejtë" e "të pandershëm",nga ndërkombëtarët.

“Kjo sjellje dyfytyrëshe e z. Thaçi nuk mund të sqarohet ndryshe, pos si nevojë e tij pragmatike për të qëndruar në dy karrige: në atë të miratimit të pakusht të çdo propozimi të ndërkombëtarëve, madje edhe ato që i rrezikojnë me dënime e arrestime bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Ai ndaj ndërkombëtarëve është i pafuqishëm dhe argumentet për t'u imponuar atyre ndonjë qëndrim të favorshëm për bashkëpartiakët dhe miqtë e tij më të ngushtë, i janë shterur dhe komprometuar skajshmërisht me përformancën e korruptuar të tij dhe bashkëpunëtorëve të tij me dosje të trashë të keqqeverisjes, korrupsionit, krimit të organizuar, etj”, thotë Hyseni.

Sipas tij, z. Thaçi i nevojitet që para opinionit dhe votuesve të Kosovës ta paraqesë veten dhe bashkëpartiakët e tij si viktima.

“Kjo i nevojitet për t'i bindur, pra për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, votuesit e Kosovës se ja, ai dhe partia e tij janë "e keqja më e vogël"! Prandaj, ata "e meritojnë" të votohen dhe çdo votë që hidhet për partitë dhe opsionet e tjera të skenës politike të Republikës së Kosovës, do të ishte “e keqe më e madhe”.

Pra, sipas Hysenit, paraqitja dualiste dhe kundërthënëse e Hashim Thaçit sipas parimit "mirë me të gjithë", ka për qëllim qëndrimin e mëtejshëm të tij në “krye të qeverisjes së Kosovës, duke u përpjekur që t'i minimizoj pasojat dhe ndëshkimet për gjithçka e keqe që i ka ndodhur Kosovës me "meritat" e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij, si nga Gjykata Speciale, ashtu edhe nga votuesit e Kosovës në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen së shpejti.

“Prandaj, sjellja e tij i ngjanë politikës "hem-hem", d.m.th. përmbysje e thënies popullore:"As me shehër, as me Barilevë" në: "Hem me shehër e hem me Barilevë”, thekson Hyseni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat