Investigimi tronditës/ Shqipëria dhe Kosova paguan 2 miliardë euro për vetëm 137 kilometër rrugë

Kosova

Investigimi tronditës/ Shqipëria dhe Kosova paguan 2 miliardë euro për vetëm 137 kilometër rrugë

Më: 23 prill 2014 Në ora: 21:07

Është koha për të folur për një nga skandalet më të mëdha financiare në historinë moderne të Shqipërisë dhe Kosovës.

Balkan Insight, në një investigim të gjatë, arrin në përfundimin se Shqipëria dhe Kosova, dy nga vendet më të varfra në Europë, kanë paguar plot 2 miliardë euro për vetëm 137 kilometra të Rrugës së Kombit.

Në investigim thuhet se ky shpenzim supergjigand, ka tharë arkat e shtetit dhe ka devijuar fondet nga projekte shumë të dëshiruara si shkolla, spitale, rrugë dytësore, etj.

Por më shokues është fakti se rruga, që prej ndërtimit, nuk ka sjellë ndonjë leverdi të madhe ekonomike mes dy vendeve, pasi tregtia mbetet në nivele qesharake.

Balkan Insight shkruan se rruga u ka kushtuar shqiptarëve në dy anët e kufirit sa dyfishi i kostos fillestare.

Kontratat u nënshkruan me kompaninë amerikane, Bechtel, pavarësisht kundërshtimeve nga Banka Botërore dhe diplomatë të lartë të BE.

Në rastin e Shqipërisë, kontrata fillestare ishte për të ndërtuar 61 kilometër rrugë për 418 milionë euro.
Në fund, sipas një emaili të rrjedhur nga ish- Ministri i Financave, Ridvan Bode, ky aks ka kushtuar 950 milionë euro.

Historia është po kaq tragjike edhe në Kosovë, ku kostoja fillestare ishte 400 milionë euro dhe më pas u rrit në 838 milionë euro për 77 kilometra rrugë.

Sipas një investigimi të mëparshëm të BIRN, ambasadori amerikan i asaj kohe në Kosovë, Chris Dell, ndihmoi që të fitohet kjo kontratë. Tani ai është punësuar në kompaninë Bechtel.

BIRN ka arritur të marrë edhe një intervistë nga një prej anëtarëve të komisionit të tenderit në Shqipëri, që vendosi t’i japë kontratën kompanisë Bechtel.

Niko Naska ishte i vetmi anëtar shqiptar në komisionin e tenderit, por ai dha dorëheqjen pas një dite, ndërsa kontratën e nënshkruan katër anëtarët e tjerë.

“Qeveria e asaj kohe më telefonoi një natë më parë dhe më thanë se isha zgjedhur nga Kryeministri Sali Berisha, që kishte thënë shumë gjëra të mira për mua. Por unë nuk dija asgjë për tenderin, si mund të bëhesha pjesë,” tha Naska.

“Pyetja ime e parë ishte kjo: A ka një projekt, a e ka shqyrtuar dikush me kujdes? Por nuk kishte asnjë projekt. Si mund të ndërtosh diçka pa një plan ndërtimi, sidomos kur bëhet fjalë për një projekt gjigand, që shkon nga 400 milionë deri në 1 miliard euro?

Si mundesha unë, një inxhinier me përvojë, që ka ndërtuar centrale dhe porte, të bie në një nivel të tillë dhe të bëhem pjesë e këtij tenderi”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat