Thaçi u takua me zëvendëskryeministërin turk Isler

Kosova

Thaçi u takua me zëvendëskryeministërin turk Isler

Më: 23 prill 2014 Në ora: 16:51

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me zëvendëskryeministrin e Republikës së Turqisë, Emrullah Isler dhe kanë biseduar për zhvillimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë, për thellimin e këtyre marrëdhënieve dhe për mbështetjen e Turqisë në afirmimin e mëtejmë ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Në takimin kryeministri Thaçi e ka informuar zëvendëskryeministrin turk për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për qeverisje të mirë, për fuqizimin e shtetit demokratik, të sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

“Kosova ka kaluar me sukses të plotë sfidën e pavarësisë, të ndërtimit të institucioneve demokratike. Tani është momenti i duhur për Misionin e Ri, atë të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Në këtë kuadër, Qeveria e Kosovës ka punuar dhe është duke punuar intensivisht për të krijuar mundësitë më të mira për të gjithë investitorët vendorë dhe të jashtëm që të investojnë në Kosovë” – theksoi Kryeministri Thaçi dhe shtoi se “Qeveria e Kosovës vlerëson lartë vullnetin dhe gatishmërinë e investitorëve nga Turqia për të investuar në Kosovë.

Nga ana e tij, zëvendëskryeministri i Turqisë, Isler, e falënderoi kryeministrin Thaçi për pritjen e përzemërt dhe shprehu qëndrimin e Qeverisë së Turqisë që mbështetja e shtetit turk në proceset e zhvillimit ekonomik të Kosovës do të vazhdojë të jetë edhe më e madhe. Turqia e konsideron Kosovën një nga partnerët më të rëndësishëm dhe strategjik në rajon.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan lartë marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Turqisë, dhe shprehën vullnetin politik të të dy qeverive për të avancuar edhe më shumë këto marrëdhënie, me theks të veçantë në fushën e zhvillimit ekonomik. A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat