Lëvizja për Bashkim kundër Gjykatës Speciale

Kosova

Lëvizja për Bashkim kundër Gjykatës Speciale

Më: 23 prill 2014 Në ora: 14:48

Lëvizja për Bashkim theksoi të mërkurën se deri më tani kompetencat për krimet e luftës në Kosovë i ka pasur bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, UNMIK-un si dhe deri më tani EULEX-in, andaj është e paqartë nevoja për një gjykatë tjetër ndërkombëtare që do të trajtojë krimet e luftës këtë radhë vetëm të shqiptarëve.

LB thekson se edhe transparenca për krijimin e kësaj gjykate, si nga ndërkombëtarët ashtu edhe nga institucionet e vendit ka munguar, duke u bërë e paqartë se çka do të ndiqet penalisht nga kjo gjykatë, për shkak se raporti i Dick Martit është shumë i gjerë.

“Lëvizja për Bashkim konsideron se vlerësimi i luftës në Kosovë asnjëherë nuk është bërë siç duhet nga bashkësia ndërkombëtare dhe faktikisht edhe sot nuk “dihet” kush ka qenë agresori e kush viktima në luftën e Kosovës. Si rrjedhojë pason barazimi i luftës gjenocidale të Serbisë me luftën çlirimtare të shqiptarëve”, thuhet në kumtesë.

Lëvizja për Bashkim konsideron se ndjekja e krimeve të luftës të kryera në Kosovë është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Krijimi i një gjykate qoftë vendore, qoftë ndërkombëtare, që do të ndiqte të gjitha krimet e luftës në Kosovë, duke filluar nga trajtimi i të gjitha krimeve të kryera nga Serbia do të mund të ishte në dobi të drejtësisë. Por Lëvizja për Bashkim konsideron se krijimi i një gjykate të tillë vetëm për shqiptarët, tek shumica e popullsisë shkakton një ndjenje mosbesimi në drejtësinë ndërkombëtare, për shkak se shumica e krimeve serbe të kryera në Kosovë kanë mbetur të pandëshkuara. Misioni i drejtësisë do të duhej të ishte ndreqja e padrejtësive që bën politika. Kjo gjykatë është në funksion të politikës dhe një padrejtësie në raport me dhjetëra mijëra viktima duke përfshirë edhe pjesën më të pafajshme të shoqërisë si pleq, gra e fëmijë. Drejtësia e pjesshme është padrejtësi”, thuhej më tej në komunikatë.

Prandaj, Lëvizja për Bashkim thekson se pikërisht pse është për drejtësi të plotë, sot votoi kundër kësaj qasjeje të padrejtë ndaj drejtësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat