Votimi i Gjykatës përmes Kuvendit, dhemb më pak

Kosova

Votimi i Gjykatës përmes Kuvendit, dhemb më pak

Nga: Mimozë Lakna Më: 23 prill 2014 Në ora: 10:46

Deputetët e Kuvendit të Kosovës thuajse gjenden para aktit të kryer. Ata shumë shpejt pritet që të votojnë pro themelimit të Gjykatës Speciale për trajtimin e pretendimeve për krime lufte të kryera nga UÇK-ja. Të gjitha partitë politike përveç Vetëvendosjes janë shprehur pro votimit të kësaj gjykate.
E votimi i Gjykatës Speciale në Kuvend për to po konsiderohet më i lehtë sesa krijimi i saj përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Njohësi i çështjeve Kushtetuese dr. Riza Smaka, thotë për "Bota sot" se kjo gjykatë me apo pa dëshirën e shqiptarëve të Kosovës do të themelohet.
“Themelimi i Gjykatës Speciale për Kosovën do të bëhet ose nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ose nga Këshilli i Sigurimit të OKB –së. Pra , deshëm, s`deshëm apo Nolens Voplens kjo Gjykatë do të themelohet kryesisht nga shkaqe të korrupsioneve të shfrenuara, akteve kriminale të pandëshkuara dhe indolencave të pakuptimta të institucioneve ekzekutive e gjyqësore referuar akteve antiligjore, dukurive shoqërore të pakontrolluara dhe për aq të dëmshme”, vlerëson Smaka.
Dr. Smaka konsideron se është më pak e dhimbshme që kjo gjykatë po themelohet përmes Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij nëse ajo do të themelohej përmes Këshillit të Sigurimi si bazë juridike e saj do të të theksohej Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.
“Ndërmjet alternativave të tilla do të preferoja rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale nga se së paku nga aspekti formal do të ruanim një trohe të integritetit shtetëror në një ane dhe sikundër të krijohej ajo Gjykate nga Këshilli i Sigurimit të OKB -së , baza juridike e saj shprehimisht do të theksohej Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën , pra për aq ajo Rezolutë do të aktivizohej edhe shprehimisht, në anën tjetër. Më tej Gjykata Speciale e krijuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mund të suprimohej vetëm nga ai institucion ndërkombëtar prestigjioz dhe këtë të fundit me baze mund të pritej se do ta obstruktonin së pakut dy shtete anëtare të përhershme të atij institucioni”, potencon ai.
Për më tepër, mandati i Gjykatës Speciale do të kufizohet vetëm në supozimet e përfshira në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të hartuar nga senatori Dick Marty, shkruan sot Koha Ditore. Për të trajtuar supozimet e këtij raporti, Bashkimi Evropian kishte themeluar në 2011-n Task-Forcën Speciale për Hetime (SITF), me mandat për të hetuar, e nëse është e nevojshme, edhe për ndjekur penalisht individë të dyshuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat