“Nazim Bllaca pak është dënuar, pasi ka kryer dy vrasje”

Kosova

“Nazim Bllaca pak është dënuar, pasi ka kryer dy vrasje”

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 23 prill 2014 Në ora: 10:40

Gjykata e Apelit, ia ka refuzuar kërkesën e Nazim Bllacës që koha e kaluar në shtëpi nën mbrojtje policore t’i llogaritet në vuajtje të dënimit. Këtë vendim e ka marr një kolegj prej tre gjyqtarësh.

Ish-kolegu i SHIK-ut i Nazim Bllacës, Naim Miftari, thekson për Gazetën “Bota sot” se, është dashur të dënohet më një dënim më të madh, pasi Bllaca ka kryer dy vrasje.

“Po pak e kanë dënuar, sepse ka kryer 2 vrasje. Arresti shtëpiak edhe pse është masë kufizuese nuk është burg, pasi aty e ka tërë familjen, flenë me shoqe për çdo natë dhe ka qenë i ruajtur tej mase me forca të sigurisë, ma shumë ka pasur mbrojtje Nazim Bllaca, sesa shefi i tij ne hije Hashim Thaçi”, thotë Miftari.

Ai thekson se Nazim Bllacës do t’i bashkohen në burg edhe disa drejtorë dhe ish-shefa të SHIK-ut.

“Sidoqoftë, familja e Nazim Bllacës, nuk duhet të shantazhohet, siç ka ndodhur gjer më sot. Besoj se Bllaca, nuk do të mërzitet në burg, pasi së shpejti do t’i bashkohen aty dhe do t’i bëjnë shoqëri edhe disa drejtorë, dhe ish-shefa të SHIK-ut”, thotë Miftari.

Anëtari i Shërbimit Informativ të Kosovës, Nazim Bllaca është dëshmitari më i bujshëm për vrasjet e pasluftës në Kosovë pasi ai pati shokuar opinionin kur vetë publikisht kishte akuzuar udhëheqës të Shërbimit Informativ të Kosovës për vrasje të ndryshme politike. Sipas tij të gjitha ato ishin kryer nga SHIK, strukturë kjo që zyrtarisht është udhëhequr nga Kadri Veseli, tash nënkryetar i PDK-së dhe njëkohësisht ka akuzuar edhe veten pasi, siç ka thënë, bashkime pjesëtarë tjerë të grupit vrasës ka privuar nga jeta jo vetëm Kllokotin, por edhe të tjerë.

Nazim Bllaca nga viti 2010 kur me atë paraqitjen e befasishme tronditi opinionin aq shumë sa rrëfimet e tij vetakuzuese, dukeshin tepër të rënda për të qenë të vërteta, është bërë personi që theu akullin e heshtjes për disa nga vrasjet e rënda, sidomos në Kosovën e pasluftës. Prej atëherë e deri në dënimin e tij, në korrik të vitit që shkoi,Bllaca është nën mbrojtje të policisë së EULEX-it në shtëpinë e tij në fshatin Ribar të Madh të Lipjanit.

Paraprakisht Bllaca ka qëndruar një vit në arrest shtëpiak. Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, ai ka qëndruar gati tri vjet në shtëpi deri në ditën e dënimit e që nga ajo kohë kanë kaluar shtatë muaj.

Anëtari i Shërbimit Informativ të Kosovës, vrasësi Nazim Bllaca, është dënuar me dënim minimal për vrasjen e Ibush Kllokoqit – anëtar i Sigurimit Shtetëror Jugosllav i njohur si UDB, me urdhër nga lart. Bllaca u dënua me 4 vjet e gjysmë burg për vrasjen e Ibush Kllokoqit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat