Ahmeti: Unë e munda Mustafën, Kurti do e mund Thaçin

Kosova

Ahmeti: Unë e munda Mustafën, Kurti do e mund Thaçin

Më: 22 prill 2014 Në ora: 21:40

Vetëvendosje mbajti takim me qytetarët e Klinës, me ç'rast prezantoi Alternativën Qeverisëse dhe hapat kryesorë për realizimin e saj.
Takimin e hapi deputeti Rexhep Selimi, njëherësh edhe koordinator i grupit punues të Qendrës së Lëvizjes në Klinë, i cili pasi prezantoi të pranishmit, foli për mobilizimin e qytetarëve dhe ristrukturimin e Qendrës në Klinë, duke i ftuar edhe të tjerët që t’i bashkëngjiten konceptit politik të Vetëvendosje-s.
Visar Ymeri, kryetar i Grupit Parlamentar, në shpjegimin e qëndrimeve për situatën aktuale në Kosovë, tha se nuk mund të shkohet në zgjedhje pa u ndëshkuar kjo Qeveri, e cila me politikat e saj e ka degraduar vendin politikisht, ekonomikisht dhe territorialisht. Ymeri, tha se si pasojë e keqqeverisjes sot, po na kanoset krijimi i Gjykatës speciale për Kosovën, që e njollos luftën çlirimtare dhe zgjatja e mandatit të EULEX-it, i cili po e dëmton sovranitetin e vendit. Ai e bëri të qartë se Lëvizja Vetëvendosje do të votojë kundër këtyre dy propozimeve.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se mirëqeverisja varet vetëm prej vullnetit dhe vetëmohimit të madh. Ai tregoi se si Lëvizja Vetëvendosje e fitoi Prishtinën, pa para, pa përkrahje të ndërkombëtarëve, por me aktivizmin e 2000 vullnetarëve që punuan pa pushim gjatë fushatës. Ahmeti tha se ashtu si është fituar Prishtina, ashtu edhe po mirëqeveriset, vetëm në sajë të vullnetit për realizimin e konceptit të Vetëvendosje-s për nevojat e qytetarëve.
"Ashtu siç e kemi mundur Isa Mustafën në Prishtinë, Albin Kurti do ta mund Hashim Thaçin në nivel Kosove", përfundoi Shpend Ahmeti.
Ndërkaq, kryetari i Vetëvendosje-s Albin Kurti tha se shteti bëhet i drejtë zhvillimor dhe social në aplikimin alternativës e pushtetit të Vetëvendosje-s. Më tutje ai i prezantoi dhe i shtjelloi shtyllat kryesore të Alternativës Qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje-s e të cilat janë:
Tatimi Progresiv – Tatim i drejtë; Rimëkëmbje e industrisë prodhuese; Të drejtat e punëtorëve dhe organizim sindikal; Bujqësi që zëvendëson importet; Arsim pa pagesë dhe i lidhur me ekonominë; Sigurime shëndetësore publike; Rritje e pensioneve si solidaritet midis gjeneratave; Politikë e bashkimit të Mitrovicës dhe kombit; Banka për zhvillim, jo për fajde; Sovranitet ekonomik mbi pasuritë natyrore; Ligj për barazi dhe konfiskim i pasurisë së paligjshme.
Kurti u ndal tek çështjet e sektorit të bujqësinë, e cila është njëra nga degët kryesore të ekonomisë në këtë komunë. Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje-s qysh në vitin e parë do t’i ketë 60 milionë investime, në vitin e dytë 90 milionë investime, në vitin e tretë 120 milionë investime, prej të cilave 65% do të jenë subvencione, ndërkaq 35% grante.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat