Rugova: UNMIK shkatërroi dëshmitë e dhunimeve

Kosova

Rugova: UNMIK shkatërroi dëshmitë e dhunimeve

Më: 22 prill 2014 Në ora: 20:40

Aktivistja e shoqërisë civile, Igbale Rugova ka folur për segmentin kohor kur janë verifikuar shumica e dhunimeve, si dhe ka shprehur kritikat e saj ndaj medias për mënyrën e trajtimit të kësaj tragjedie.

“Gjatë depërtimit kanë ndodhur krimet më të mëdha. Mijëra gra dhe vajza janë ndaluar rrugës për në Kukës dhe janë përdhunuar nga serbët. Këto gra e vajza nuk e ndjejnë sot lirinë e Kosovës”, ka treguar Rugova.

“Pas luftës aktivistet janë angazhuar, por media nuk ka qenë e ndjeshme. Ajo ka qenë më tepër në kërkim të sensacionit Nuk mund ta harroj një të përditshme që atëherë mbante titullin “Fëmijët e Turpit”, për gratë që ishin dhunuar. Për shkak të sensacionit, gazeta ka treguar edhe gjurmët e djegies së cigareve në gjoksin e një femre”, ka vijuar aktivistja.

Por sipas saj, një krim i rëndë është kryer edhe nga administrata ndërkombëtare në Kosovë, që dëshmitë e mbledhura nga shoqatat për gratë e dhunuara i ka shkatërruar, me qëllim mbrojtjen e shtetit serb.

“Shërbimet sekrete serbe kanë ndikuar shumë pas luftës. Dëshmi të grave të dhunuara të mbledhura nga shoqatat iu dorëzuan UNMIK-ut dhe UNMIK-u i shkatërroi që të mos dënohej Serbia”, ka vijuar rrëfimin e saj Rugova për emisionin “Shqip” në Top Channel.

Por ajo thekson se lufta për drejtësi nuk ka mbaruar me kaq dhe shton se në planet e saj është lufta për të paditur UNMIKU-n në një gjykatë alternative.

“Ne kemi dalë disa herë publikisht, sepse këto gra meritojnë mbrojtjen ligjore dhe dinjitetin. Ne kemi në plan të ngremë një gjykatë dhe do të padisim UNMIK-un sepse ka bërë krim, ka shkatërruar dëshmitë. Kjo është një gjykatë alternative, por me këto dëshmi e padi do hapet rruga për gjykatën e drejtë”, ka saktësuar Rugova, e cila më tej ka prekur edhe çështjen e Gjykatës Speciale.

“Qeveria në Kosovë bën atë që i thotë bashkësia ndërkombëtare. Ky është gabimi i qeverisë. Ajo duhet të thotë: ju nuk guxoni”, ka shtuar aktivistja e njohur

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat