Pacolli: Gjykata Speciale s’është çudi që na ra nga qielli

Kosova

Pacolli: Gjykata Speciale s’është çudi që na ra nga qielli

Më: 22 prill 2014 Në ora: 19:57

Kryetari i AKR-së dhe zv/kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, thotë se nesër Kuvendi i Kosovës pritet të miratojë themelimin e një Gjykate Speciale që ngrihet mbi bazën e pretendimeve të një raporti të Këshillit të Evropës dhe gjetjeve të prokurorit amerikan Williamson.
Sipas tij, kjo nuk është një ngjarje e zakonshme që ndodh çdo ditë.
“Ajo nuk është produkt i politikës sonë ditore. Për këtë vendim janë investuar nivelet më të larta të Bashkimit Evropian, të SHBA-ve, pra miqve tanë ndërkombëtarë. Ky vendim me pasojat që do të prodhojë, është një ngjarje me rëndësi ndërkombëtare. Ky vendim nuk është thjesht ngjarje me rëndësi kosovare, pra brenda kufijve tanë. Si e tillë, kjo ngjarje nuk mund të shihet si ngjarjet e përditshmërisë sonë, së fshatit tonë, të katundit tonë, të komunës sonë”, ka shkruar Pacolli në një tekst autorial të publikuar në Facebook.
Ai thotë se rreth kësaj ngjarjeje, ashtu si dhe shumë të tjerave kur kemi përfshirje ndërkombëtare, në politikën kosovare ka tre qasje kryesore. Njëra që vazhdon t’i shohë si ngjarje me rëndësi vendore. Kjo është qasje miope. Një qasje tjetër i kundërvihet ndërkombëtarëve, gjegjësisht aleatëve tanë duke përjashtuar çdo veprim apo përfshirje të tyre në jetën tonë politike dhe institucionale. Kjo qasje është irrealiste dhe mosmirënjohëse. AKR-ja ka një qasje tjetër : përfshirëse, pajtuese të interesave tona me ato të miqve tanë ndërkombëtarë.
“Mjerisht qasja miope, irrealiste, mosmirënjohëse ka dominuar shpesh politikën kosovare në raport me ngjarje që kanë rëndësi ndërkombëtare. Ne kemi parë në mënyrë miope ose irrealiste dhe raportin famëkeq të Dik Martit kur u prezantua në Këshillin e Europës. Përballë atyre që e panë me këtë qasje të ngushtë, ne si AKR-, unë personalisht e pamë ndryshe. E pashë si ngjarje me pasoja të rënda ndërkombëtare dhe kërkova reagim të fortë kombëtar. Kërkova tryezë mbarëkombëtare partish të udhëhequr nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tryezë që të formulonte qëndrim unik ndaj akuzave që prekin jo thjesht Kosovën, Shqipërinë, por dhe Perëndimin, aleatët tanë. Kërkova që Shqipëria, shqiptarët të harmonizonin qëndrimin tonë me atë të perëndimit duke ia bërë të qartë unitetin e pozicionit tonë kombëtar. Nuk mora përgjigje. Kërkova prej të përmendurve në raport, drejtues qeveritarë ose jo, që të më jepnin mandat për të ndjekur penalisht në Zvicër për shpifje autorin dhe frymëzuesen e raportit, gjegjësisht Dik Marti dhe Karla Del Ponte. Nuk ma dhanë një prokurë dhe kështu mbeta në nivelin e denoncimeve në mediat ndërkombëtare”, ka shkruar ai ndër tjerash.
Ai thotë se gjatë 15 vjetëve të lirisë sonë ne nuk jemi marrë seriozisht me dokumentimin ndërkombëtar të krimeve të kryera ndaj nesh, ndaj jetës së 12 mijë qytetarëve të vrarë, dhunimeve të grave, shkatërrimit të xhamive, dhe objekteve tona të kultit, shkatërrimit të shtëpive, dhe ekonomisë sonë, zhdukjes së mijëra qytetarëve.
“Ne jemi mjaftuar me konferenca vendore, me akademira solemne, me ndeja pa kurrfarë jehone ndërkombëtare. Serbia nuk ka bërë kështu, ajo nuk ka ndenjur duarkryq. Ajo është përpjekur ta rëndojë peshoren e drejtësisë nga ana e kriminelit. Ashtu si në një lojë sportive, nëse ti nuk sulmon atëherë të sulmon tjetri, dhe do të duhet të mbrohesh. Kështu kemi mbërritur në ditën kur Kuvendi do të marrë vendimin për themelimin e kësaj gjykate speciale. Nëse atëherë dhe sot do të mendonim ndërkombëtarisht, do të kishim vizion, me gjasë nuk do arrinim në ditën e sotme”, ka shkruar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat