Rexhepi: Adem Demaçi është vëzhgues, kurse, Hashim Thaçi politikbërësi...

Kosova

Rexhepi: Adem Demaçi është vëzhgues, kurse, Hashim Thaçi politikbërësi...

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 21 prill 2014 Në ora: 12:45

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, është tregua kritik ndaj atyre që tani po e hanë luftën e vetë për interesa karrieriste, duke harruar interesin e popullit dhe të shtetit, dhe se, u rikujtoi udhëheqësve të vendit se kanë përgjegjësi për ta bërë lirinë e plotë të Kosovës, pasi ende nuk e kemi bërë.

Duke aluduar te kërkesat e ndërkombëtare për themelimin e gjykatës speciale në Kosovë, Adem Demaçi tha se “shqiptarët po detyrohen që të pranojnë diçka që shkel interesat e tyre, kurse, Bashkësia Ndërkombëtare nuk duhet të insistojë te shqiptarët të shkelin mbi gjakun e tyre”, tha Demaçi.

Rreth kësaj deklarate, për Gazetën “Bota sot”, ka folur ish-deputeti i Parlamentit të Kosovës, Arsim Rexhepi,i cili thekson se, ka ndje dallim të përgjithshëm në mes të këndvështrimeve të atyre që për politikën dhe politikbërjen mund të gjykojnë nga luksi i të qenurit vëzhgues, dhe atyre që janë të detyruar të mbajnë mbi supet e tyre kryqin e politikbërjes.

“Adem Demaçi është vëzhgues, kurse, Hashim Thaçi është politikbërësi i vetëm në Kosovë. Barra që bie mbi kryeministrin aktual është padyshim më e madhja, e vetmja, dhe i takon atij, si e vetmja instancë e aftë të ballafaqohet me gjendje si kjo me gjykatën speciale, që ti çojë proceset përpara”, pohon Rexhepi.

Sipas tij, ne kemi një presidente, të ardhur si “pjellë hazardesh fatale”, gjë që, e delegjitimon impaktin politikbërës dhe relevancën e saj, si dhe kemi një Kuvend impotent, të çakorduar dhe krejtësisht të paafte të reflektojë unitet. Ai thekson se, kjo gjendje, përballë presionit të pamat ndërkombëtar detyrimisht reflektohet mbi instancën e kryeministrit.

“Gjykata duhet të bëhet, sado e pandershme që tingëllon! Sado që dikush këtë e interpreton si një shkelje të gjakut e flijimit. Mendoj se kjo Gjykatë, sado që e paragjykojmë të gjithë duhet të krijohet nga ne, dhe jo nga Kombet e Bashkuara”, thotë Arsim Rexhepi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat