Demolli: Njëherë Tribunali, EULEX-i e FAK-u, më pas shpërbërja e Kuvendit

Kosova

Demolli: Njëherë Tribunali, EULEX-i e FAK-u, më pas shpërbërja e Kuvendit

Nga: Hava Orana Më: 21 prill 2014 Në ora: 11:17

Shpërbërja e Kuvendit do të bëhet këtë javë. Të paktën kështu po e thekson lideri i LDK-së, Isa Mustafa, njëherit kandidat i mundshëm për kryeministër. Mirëpo jo të njëjtën gjë po e thotë edhe kryeministri aktual, Hashim Thaçi. Ai ka thënë se njëherë do të vendoset për Gjykatën Speciale, e më pas për zgjedhjet. Duket se në këtë mënyrë po tenton t’ia zgjasë ‘jetën’ mandatit të tij.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Demolli nga radhët e LDK-së thotë se fillimisht duhet të zgjidhen çështjet si ajo e tribunalit, që në një farë forme është detyrë nga ndërkombëtarët, më pas çështja e mandatit të EULEX-it, e çështja e ushtrisë së Kosovës, e më pas të bëhet shpërbërja e Kuvendit dhe të caktohet data e zgjedhjeve.

“Krijimi i Gjykatës Speciale për krimet e luftës është një prej detyrave e cila në një farë forme është e caktuar edhe nga vet faktori ndërkombëtar, të cilën e kanë pranuar përfaqësuesit e subjekteve tona politike, kështu që kjo është çështje veç e kryer. Që do të thotë se së pari duhet të shqyrtohet, ndërsa për vendim do të shohim ditën e mërkurë ose të enjte kur do të mbahet seanca e Kuvendit. Pastaj shohim, ndonëse ka qenë mirë të shikohet edhe puna e EULEX-it, apo vazhdimi i mandatit të EULEX-it, kur e dimë që në qershor të këtij viti i kalon mandati i EULEX-it, prandaj mirë është që t’i vazhdohet mandati, edhepse ka çështje të tjera si shndërrimi i FSK-së, në Forcat e Armatosura të Kosovës, por për mendimin tim kishte me qenë mirë që edhe ligji mbi zgjedhjet të shqyrtohet në njërën prej seancave të radhës. Pra, pasi që të kryhen këto çështje do të shohim a do të shpërbëhet Kuvendi, në mënyrë që të caktohet data e zgjedhjeve të reja”, thekson Demolli për ‘Bota sot’./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat