Gjykata Speciale do të hetojë edhe korrupsionin

Kosova

Gjykata Speciale do të hetojë edhe korrupsionin

Më: 21 prill 2014 Në ora: 08:56

Ismet Salihu mendon se Gjykata Speciale nuk do të hetojë vetëm krimet e pretenduara nga UÇK, por do të hetojë edhe vrasjet e pasluftës dhe korrupsionin. Ai thotë se mandati minimal i kësaj gjykate është 5 vjet. Fton deputetët që të votojnë pro themelimit të saj.

Edhe pse akoma nuk dihen detaje për Gjykatën Speciale e cila pritet të themelohet për të gjykuar krimet e pretenduara të luftës në Kosovë, profesori isë Drejtës Penale Ismet Salihu, mendon se kjo gjykatë nuk do të jetë ekskluzivisht vetëm për krimet e luftës dhe për UÇK-në.

Në një bisedë për “Epoka e Re”, Salihu ka thënë se kjo gjykatë do të hetojë edhe vrasjet e pasluftës por edhe korrupsionin. “Kjo gjykatë nuk është vetëm për UÇK-në, por për krimet e kryera gjatë vitit 1998, pas qershorit të vitit 1999, pra edhe pas çlirimit të Kosovës”.

“Kjo gjykatë do të merret edhe me vrasjet që kanë ndodhur pas luftës, të cilat sigurisht janë duke u hetuar. Po ashtu, kjo gjykatë do të merret edhe me milionerët e ri, të cilët janë bërë milionerë për dy vjet. Pra, kjo gjykatë do të merret edhe me veprat penale të korrupsionit”.

Duke folur për mandatin që mund të ketë kjo gjykatë, Ismet Salihu mendon se Gjykata Speciale minimum mandatin mund ta ketë 5 vjet. Ai thotë se kjo gjykatë nuk do të jetë fare në juridiksionin e Kosovës, por fton deputetët që ta votojnë, pasi mendon se nëse nuk votohet, versioni se Këshilli i Sigurimit i OKB-së, mund ta bëjë një gjë të tillë, i duket një gjë e keqe.

“Sipas statutit të kësaj gjykate, mandati i saj së paku do të jetë pesë vjet dhe do të jetë i pakufizuar. Pra, minimumi i mandatit të kësaj gjykate do të jetë pesë vjet. Mandati i Gjykatës Speciale mund të jetë 7, 10 deri në 15 vjet. Pra, sa të ketë nevojë për t’i sjellë në mend shqiptarët dhe për të sjellë në vend Kosovën”.

“Më mirë do të ishte që deputetët ta pranojnë këtë gjykatë, sepse me vendos Këshilli i Sigurimit i OKB-së bëhet më keq.”

“Gjykata Speciale për krime lufte nuk ka lidhje me juridiksionin e Kosovës. Kjo gjykatë krejtësisht do të jetë jashtë juridiksionit të Kosovës. Vendorët nuk do të kenë kurrfarë pushteti”, ka thënë për “Epoka e Re”, Ismet Salihu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat