Kusari-Lila: Për dallim nga subjektet tjera, AKR prej formimit qëllim bosht e ka pasur ekonominë

Kosova

Kusari-Lila: Për dallim nga subjektet tjera, AKR prej formimit qëllim bosht e ka pasur ekonominë

Më: 18 prill 2014 Në ora: 22:45

Zëvendëspresidentja e Aleancës Kosova e Re dhe Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, thotë se temë bosht e plan-programit të AKR'së është zhvillimi ekonomik.
Ajo tha se temat e tilla fillimisht ishte paragjykuar nga subjektet tjera por që janë ato që kanë ardhur tani në përfundimin e dikurshëm të AKR-së.

“Për dallim prej shumicës së subjekteve politike, Aleanca Kosova e Re që prej formimit të saj dhe që prej plasimit të idesë për formimin e partisë politike në vitin 2006 – 2007 bosht të saj ka pasur zhvillimin ekonomik, tema të ndryshme të cilat janë plasuar nga AKR-ja shpeshherë janë gjykuar ose paragjykuar nga subjektet tjera për të ardhë në përfundimin e njëjtë se pa një shtet të zhvilluar ekonomikisht, pa themele të forta të shtetit në aspektin ekonomik nuk mund të kemi demokraci të fortë sepse nuk mund të kemi shpërndarje të mirëfilltë të mirëqenies dhe ne pa asnjë përjashtim nga garat e deritashme si AKR, prapë do ta kemi agjendën zhvillimore, agjendën ekonomike, e cila e ka karakterizuar gjithmonë programin tonë”, tha Kusari-Lila në emisionin “Debat” në RTK.

Sipas saj vlerat që e karakterizojnë AKR'në janë ato liberal-demokrate.

Nga ana tjetër, Fadil Ismajli, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, tha se përshëndesin rritjen e pagave nga ana e qeverisë, pjesë e së cilës është edha ai, derisa tha se AKR, mendon edhe për të pa punët.

Ismajli, tha se kuadri i AKR'së duke filluar nga presidenti Behgjet Pacolli, janë dëshmuar të suksesshëm në fushën e ekonomisë.

“Për dallim prej të tjerëve AKR'ja çështjen e zhvillimit ekonomik e ka që nga themelimi”, tha Ismajli.

Bernard Nika, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, tha se primare për AKR’në është sektori privat, si promotor i zhvillimit.

“Ne besojmë se sektori privat, duhet të jetë motori kryesor i këtij zhvillimi, prandaj edhe të gjitha masat që ne i kemi marrë edhe në kuadër të kësaj qeverie por edhe në kuadër të një qeverisje të ardhshme do të ketë për qëllim fuqizimin e sektorit privat dhe krijimin e një ambienti më të mirë”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat