Ahmeti: Liria që e kemi është me çmueshme se gjithçka

Kosova

Ahmeti: Liria që e kemi është me çmueshme se gjithçka

Më: 18 prill 2014 Në ora: 21:36

Në kuadër të ditës së Krenarisë dhe nderimin për të gjithë dëshmorët e Prishtinës, sot janë përkujtuar nga shumë liderë të institucioneve të cilët kanë bërë edhe homazhe pranë varreve dhe lapidarëve të tyre.
Përpos kësaj, në kujtim të këtyre dëshmorëve, një akademi përkujtimore është organizuar nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Për 15 vjetorin e dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, kryetari Shpend Ahmeti ka thënë që këtë ditë e ka ndjerë me krenari, por edhe luftën e lavdishme të luftëtarëve të UÇK-së.

Lirinë që ja sjellën këtë luftëtarë, Ahmeti gjatë kësaj ngjarje e ka konsideruar si gjënë më të çmueshme.

“Gjatë vizitës në varrezat e dëshmorëve por edhe në vizitat që i bëmë edhe të Zahir Pajaziti, por edhe në Marec atje takova shumë familje të dëshmorëve të cilët me lot në sy i kujtojnë fëmijët e tyre, të rinjtë e tyre dhe familjarët e tyre. Por në lotët e tyre nuk është vetëm një pikëllim por është edhe krenari. Këtë ne duhet ta ruajmë, kjo është më e çmueshme se çdo gjë”, ka thënë Ahmeti.

Edhe kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve Naser Pacolli, ka theksuar se liria që po gëzohet sot është dhuratë e çmuar të cilën dëshmorët e të gjitha kohërave e lanë.

“Jemi mbledh për të kujtuar gjithë ata që bënë sakrificën e fundit për këtë komb. Gjaku i derdhur për liri dhe zhvillim kombëtarë të përbashkët tregon qytetërimin e vërtetë të kulturës për liri njerëzore dhe kombëtare. Lirinë që po e gëzojmë sot është një dhuratë e çmuar të cilën dëshmorët tanë të të gjitha kohërave na e lanë”, ka shtuar Pacolli.

Kjo akademi u përcoll edhe me disa pika artistike, si me këngë dhe poezi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat