Shtyhet votimi për Gjykatën Speciale?

Kosova

Shtyhet votimi për Gjykatën Speciale?

Më: 18 prill 2014 Në ora: 17:00

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt e ka miratuar Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Ndërlidhen me Mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës.
Mirëpo Qeveria e Kosovës nuk e ka proceduar në Kuvend ratifikimin e Projektligjit për Marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), që sipas praktikave të mëhershme, duhej ta përcillte Qeveria e Kosovës.
Është pritur që bashkë me ratifikimin e marrëveshje me BE-në për EULEX-in të hyjë si pikë e veçantë e dokumentit edhe votimi për Gjykatën Speciale që do të hetojë krimet e supozuara të individëve të UÇK-së.
Kryesia e Kuvendit ka vendosur që Kuvendi të mblidhet të mërkurën, më 23 prill, në orën 10:00.
Në këtë seancë do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës.
Kryeparlamentari Krasniqi i ka njoftuar pjesëmarrësit në këtë takim se në Kuvend tashmë ka arritur letërkëmbimi i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baroneshën Catherine Ashton , por jo edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, që sipas praktikave të mëhershme, duhej ta përcillte Qeveria e Kosovës.
Ai, ndërkaq, ka pohuar që, nëse deri në seancë arrin në Kuvend teksti i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, ai do të radhitet të ratifikohet. Për të dy çështjet, ka precizuar Krasniqi, deputetët duhet të votojnë për shmangie nga Rregullorja e Kuvendit.
Cilat ligje do të ndryshojnë?
Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në negociatat me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, kabineti qeveritar ka vlerësuar se është i domosdoshëm ndryshimi i ligjeve që kanë të bëjnë me kompetencat e EULEX-it, si dhe të bëhet transformimi i tyre te institucionet vendore.
Projektligji i miratuar sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ka për qëllim që të bëjë ndryshimin dhe plotësimin e të gjitha ligjeve të cilat lidhen drejtpërdrejt me mision të BE-së në Kosovë. Ligjet që do të amandamentohen janë:
- Ligji për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës;
- Ligji mbi Kompetencat për Zgjedhjen e Lëndëve dhe Caktimin e Lëndëve të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të EULEX-it në Republikën e Kosovës;
- Kodi Penal i Republikës së Kosovës;
- Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës;
- Ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për
Çështjet që Lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit;
- Ligjit për Departamentin e Mjekësisë Ligjore;
- Ligji për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe
- Kodi Doganor dhe të Akcizës të Republikës së Kosovës.
Ky projektligj përcakton çartë që të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës në fushën e rendit dhe sundimit të ligjit, do të udhëhiqen nga institucionet apo përfaqësuesit vendor.
Kjo nënkupton që edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës do të udhëhiqet nga një prokuror vendor. Panelet e gjykimeve do të jenë të përbëra nga dy gjyqtarë vendorë dhe një nga EULEX-i, për të gjitha rastet që do t’i shqyrtojnë në Republikën e Kosovës. Nga data 15 prill e këtij viti, nuk do të ketë raste, të cilat do t’i marrin prokurorët e EULEX-it pa autorizim të prokurorëve vendor, respektivisht Prokurorisë Speciale dhe Prokurorit të Shtetit.
Gjithashtu është precizuar edhe emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it, që do të kalojë përmes një propozimi në Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor të Republikës së Kosovës dhe do të dekretohen nga presidentja e Republikës së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat